Zyrtare: Fulhami transferon sulmuesin Gonzalo Garcia nga Real Madridi
Fulhami ka zyrtarizuar transferimin e sulmuesit spanjoll Gonzalo García nga Real Madridi, duke siguruar një nga talentet më premtues të futbollit spanjoll.
22-vjeçari ka nënshkruar një kontratë pesëvjeçare me klubin londinez, e vlefshme deri në verën e vitit 2031, ndërsa Fulhami ka edhe opsionin për ta zgjatur bashkëpunimin edhe për një vit tjetër. Klubi nuk ka bërë të ditur shumën e transferimit.
Fulham do të paguajë midis 40 dhe 42 milionë euro për 70% të të drejtave të Gonzalos, ndërsa Real Madridi do të mbajë 30% të mbetur. Kështu, vlera totale e operacionit është afër 60 milionë euro.
Pas zyrtarizimit, Gonzalo nuk e fshehu entuziazmin për aventurën e re në Ligën Premier. Ai falënderoi drejtuesit e klubit dhe trajnerin Álvaro Arbeloa për besimin e dhënë, duke theksuar se mezi pret të nisë këtë kapitull të ri në karrierën e tij.
I lindur në Madrid, Gonzalo García është produkt i akademisë së famshme të Real Madridit, ku u bashkua në moshën 10-vjeçare.
Pas një sezoni te grupmoshat e Mallorcës, ai u rikthye në akademinë madrilene në vitin 2019, ku nisi ngjitjen drejt ekipit të parë.
Shpërthimi i tij erdhi në sezonin 2023/24, kur shënoi plot 35 gola me ekipin U-19 të Real Madridit, duke ndihmuar skuadrën të fitonte një tripletë historike. Më pas vazhdoi formën e shkëlqyer edhe me Castilla, ku regjistroi 25 gola dhe katër asistime në 36 ndeshje.
Paraqitjet e mira i hapën dyert e ekipit të parë të Real Madridit. Sezonin e kaluar ai zhvilloi 39 ndeshje me skuadrën madrilene, duke realizuar tetë gola dhe tre asistime.
Sulmuesi spanjoll tërhoqi vëmendjen edhe në Kupën e Botës për Klube, ku përfundoi si golashënuesi më i mirë i turneut me katër gola dhe një asistim, pavarësisht se Real Madridi u eliminua në gjysmëfinale. /Telegrafi/


