Please enter at least 3 characters.

Ylli i RD Kongos pranon se priste më shumë nga Ronaldo: Ai nuk është i njëjti

Mesfushori i DR Kongos, Ngal’ayel Mukau, ka pranuar se priste më shumë nga Cristiano Ronaldo në përballjen mes Portugalisë dhe RD Kongos, e cila përfundoi me rezultat 1-1 në Kupën e Botës 2026.

Futbollisti i Lille, i cili pati rastin të luante përballë njërit prej emrave më të mëdhenj në historinë e futbollit, tha se mosha tashmë ka ndikuar në lojën e yllit portugez, ndonëse përballja me të mbetet një privilegj i madh.

“E dinim se ai nuk është më i njëjti si më parë, ndaj e kuptonim se do të vraponte më pak në fushë. Ndoshta prisja pak më shumë prej tij, por kjo është krejt normale. Ai është rritur në moshë. Gjithsesi, të luash kundër Cristiano Ronaldos është një nder i madh”, deklaroi Mukau.

Ronaldo, i cili vazhdon të jetë figura kryesore e Portugalisë edhe në moshën 41-vjeçare, nuk arriti të lërë gjurmën e zakonshme në këtë ndeshje, ndërsa RD Kongo arriti të marrë një rezultat pozitiv ndaj një prej favoritëve të turneut.

Komentet e Mukaut kanë tërhequr vëmendje të madhe në mediat ndërkombëtare, pasi vijnë nga një kundërshtar që u përball drejtpërdrejt me pesë herë fituesin e Topit të Artë.

Megjithatë, Mukau theksoi se respekti për Ronaldon mbetet i jashtëzakonshëm, pavarësisht se niveli i tij fizik nuk është më ai i viteve të arta të karrierës. /Telegrafi/