Xhaka dhe Jashari, gjurmëve të Mustafit, Koznikut dhe Januzajt
Kupa e Botës ka prodhuar ndër vite momente të mëdha edhe për futbollistët me prejardhje shqiptare. Edhe pse kanë përfaqësuar kombëtare të ndryshme, disa prej tyre kanë qenë pjesë e skuadrave që kanë arritur deri në katërshen më të mirë të botës, madje edhe në podiumin e turneut më të madh të futbollit.
Në mungesë të Kosovës dhe Shqipërisë, ku të dyja ishin afër eventit të fundit, nuk mungojnë lojtarët me prejardhje shqiptare në Kupën e Botës 2026.
Rrugëtimi nisi me Ardian Koznikun në Francë, në vitin 1998. Ish-sulmuesi kosovar ishte pjesë e Kombëtares së Kroacisë në një Botëror historik për këtë shtet, i cili po merrte pjesë për herë të parë në Kupën e Botës si vend i pavarur.
Kroacia e udhëhequr nga emra si Davor Suker, Zvonimir Boban, Robert Prosinecki dhe Robert Jarni e kaloi fazën e grupeve pas fitoreve ndaj Xhamajkës dhe Japonisë. Në fazën e 1/8 së finales eliminoi Rumaninë, ndërsa në çerekfinale befasoi Gjermaninë me rezultat bindës 3-0.
Në gjysmëfinale, kroatët u përballën me Francën nikoqire. Ata kaluan të parët në epërsi përmes Sukerit, por Franca e përmbysi rezultatin me dy gola të Lilian Thuram dhe avancoi në finale. Kroacia reagoi në ndeshjen për vendin e tretë, duke e mposhtur Holandën 2-1 dhe duke fituar medaljen e bronztë.
Kozniku nuk zhvilloi asnjë ndeshje në atë Botëror, por ishte pjesë e skuadrës që realizoi një nga sukseset më të mëdha në historinë e futbollit kroat.
Gjashtëmbëdhjetë vjet më vonë, Shkodran Mustafi arriti suksesin më të madh të mundshëm në futboll. Mbrojtësi me prejardhje shqiptare ishte pjesë e Gjermanisë që u shpall kampione bote në Brazil, në vitin 2014.
Gjermania e Joachim Löwit e nisi turneun me fitoren e thellë 4-0 ndaj Portugalisë, vazhdoi me barazim ndaj Ganës dhe triumfoi ndaj SHBA-së për të fituar grupin. Në fazën e eliminimit, gjermanët e kaluan me shumë vështirësi Algjerinë pas vazhdimeve, më pas eliminuan Francën në çerekfinale dhe shkruan historinë në gjysmëfinale.
Përballë Brazilit vendas, Gjermania realizoi një nga fitoret më të bujshme në historinë e Kupës së Botës, duke triumfuar 7-1. Në finalen e madhe ndaj Argjentinës, goli i Mario Götzes në vazhdime i dha Gjermanisë titullin e katërt botëror.
Mustafi pati rol aktiv në fazën e grupeve dhe në ndeshjen e 1/8 së finales ndaj Algjerisë, para se një lëndim ta largonte nga pjesa e mbetur e turneut. Megjithatë, ai mbetet futbollisti i vetëm me prejardhje shqiptare që ka fituar Kupën e Botës.
Në Botërorin e Rusisë më 2018, ishte radha e Adnan Januzajt të arrinte deri në podium me Belgjikën. “Djajtë e Kuq” e nisën turneun me fitore ndaj Panamasë dhe Tunizisë, ndërsa Januzaj u bë protagonist në ndeshjen e fundit të grupit kundër Anglisë.
Futbollisti me origjinë shqiptare shënoi golin e vetëm të takimit, duke i dhënë Belgjikës fitoren 1-0 dhe vendin e parë në grup. Ai gol e bëri Januzajn një nga figurat e veçanta të rrugëtimit belg në atë Botëror.
Belgjika më pas eliminoi Japoninë në një ndeshje dramatike të 1/8 së finales, ku përmbysi disavantazhin 2-0 për të fituar 3-2. Në çerekfinale erdhi triumfi i madh 2-1 ndaj Brazilit, që e dërgoi Belgjikën në gjysmëfinale për herë të parë që nga viti 1986.
Në gjysmëfinale, Belgjika u ndal nga Franca pas golit të Samuel Umtitit, por skuadra e Roberto Martinez reagoi në ndeshjen për vendin e tretë. Fitorja 2-0 ndaj Anglisë i solli Belgjikës medaljen e bronztë dhe rezultatin më të mirë në historinë e saj në Kupën e Botës. Januzaj nuk luajti në gjysmëfinale dhe në ndeshjen për vendin e tretë, por mbeti pjesë e ekipit që u ngjit në podium.
Tani, në Kupën e Botës 2026, Granit Xhaka dhe Ardon Jashari kanë mundësinë të ndjekin të njëjtën rrugë me Zvicrën. Ata ndodhen në çerekfinale përballë Argjentinës dhe janë vetëm disa hapa larg një tjetër kapitulli historik për futbollistët shqiptarë në skenën më të madhe të futbollit botëror.
Xhaka, si kapiten dhe lider i padiskutueshëm i Zvicrës, bart peshën e përvojës dhe të përgjegjësisë në një ekip që synon të kalojë kufijtë e arritjeve të deritanishme. Jashari, ndërkohë, përfaqëson brezin e ri, një futbollist që kërkon të shkruajë historinë e tij me fanellën zvicerane.
Nëse Zvicra arrin të kalojë çerekfinalen dhe të sigurojë një vend në podium, Xhaka dhe Jashari do t’i bashkoheshin listës së futbollistëve me prejardhje shqiptare që kanë arritur sukses në Kupën e Botës.
Një rrugëtim që nisi me bronzin e Koznikut në vitin 1998, vazhdoi me titullin botëror të Mustafit në vitin 2014 dhe me medaljen e Januzajt në vitin 2018, tani mund të marrë një faqe të re me Granit Xhakën dhe Ardon Jasharin. /Telegrafi/


