Please enter at least 3 characters.

Vjosa Osmani nderohet me Çmimin e NATO-s për gratë lidere në demokraci

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është nderuar sot me Çmimin për Gratë, Paqen dhe Sigurinë nga Asambleja Parlamentare e NATO-s, një vlerësim i rëndësishëm ndërkombëtar që nderon gratë lidere për kontributin e tyre në ndërtimin e paqes, forcimin e sigurisë dhe avancimin e demokracisë.

Në fjalën e saj gjatë pranimit të çmimit, Osmani tha se ky vlerësim i dedikohet popullit të Kosovës, e veçanërisht grave që kanë luajtur rol kyç në ndërtimin e paqes dhe arritjen e lirisë.

“Ky është një nder i veçantë dhe një çmim që i dedikohet popullit të Kosovës, e në veçanti të gjitha grave të Kosovës, atyre që me guxim, dinjitet e dashuri ndihmuan ndërtimin e paqes dhe arritjen e lirisë sonë”, theksoi presidentja Osmani.

Ajo shtoi se paqja dhe demokracia në Kosovë janë ndërtuar mbi përkushtimin dhe guximin e grave që kanë qëndruar të palëkundura në rrugëtimin drejt lirisë dhe barazisë.

Presidentja theksoi gjithashtu se ky vlerësim është një njohje edhe për angazhimin e Kosovës në zbatimin e Agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, përmes Forumit Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, si dhe Qendrës Rajonale të Ekselencës, të cilat tashmë janë shndërruar në platforma të rëndësishme bashkëpunimi rajonal dhe ndërkombëtar.

Ky çmim e pozicionon Kosovën si një model global për përfshirjen e grave në proceset e paqes dhe sigurisë, ndërsa presidentja Osmani bëhet liderja e parë nga Evropa Juglindore që nderohet me këtë çmim prestigjioz. /Telegrafi/