Please enter at least 3 characters.

Virgil van Dijk reagon ndaj zërave për largimin e Alisson Becker

Kapiteni i Liverpoolit, Virgil van Dijk, ka komentuar raportimet që e lidhin portierin Alisson Becker me një transferim të mundshëm te Juventus këtë verë.

Duke folur për Liverpool Echo, mbrojtësi holandez theksoi se nuk është i shqetësuar nga zërat e afatit kalimtar, por pranoi se largimi i brazilianit do të ishte një humbje e madhe për skuadrën.

“Secili mund të ketë mendimin e vet për këtë. Ka thashetheme, por nëse ka diçka konkrete, të gjithë do ta mësojmë. Për mua, nuk shqetësohem”, ka thënë Van Dijk.

“Gjithmonë do të vijë një ditë kur dikush, përfshirë edhe mua, do të largohet. Nëse kjo do të ndodhë, dhe unë nuk kam asnjë informacion dhe as nuk mendoj se ai vetë ka, atëherë klubi do të përshtatet”.

“Ne kemi kaluar shumë së bashku, momente të bukura dhe të vështira, prandaj do të ishte padyshim një goditje e madhe dhe një mungesë e madhe për ekipin”.

Megjithatë, kapiteni i “The Reds” theksoi se fokusi nuk duhet të jetë te spekulimet për të ardhmen.

“Nuk mendoj se është e drejtë të parashikojmë çfarë mund të ndodhë. Ai është shumë i rëndësishëm për mua si një nga liderët e skuadrës dhe, sipas meje, është portieri më i mirë në botë”.

“Ai po përpiqet të rikthehet sa më shpejt për të na ndihmuar në katër ndeshjet e fundit dhe ky është fokusi ynë kryesor”.

“Çfarë ndodh më pas, nuk është diçka për të cilën duhet të më pyesni. A do të doja të qëndronte? Sigurisht, pa asnjë dyshim”.

Sipas raportimeve, Juventusi i ka ofruar Alissonit një kontratë trevjeçare, ndërsa portieri brazilian po shqyrton opsionet e tij, pa synuar të detyrojë një largim nëse Liverpooli vendos ta mbajë atë. /Telegrafi/