Vdekja misterioze e biznesmenit anglez
Një gazetar kinez ka deklaruar për BBC se biznesmeni Neil Heywood është vrarë në Çongking nëntorin e kaluar dhe se policia kineze, në dijeni të ngjarjes, është përpjekur ta mbulojë atë.
Policia kineze ra në panik kur zbuloi se çështja mund të jetë e lidhur me politikanin e njohur Bo Xilai dhe bashkëshorten e tij Gu Kailai, transmeton TCh.
Vetëm në muajin aktual autoritetet kineze premtuan një hetim të ngjarjes dhe nxorën zonjën Gu si të dyshuar. Bo Xilai është shkarkuar nga detyra, si pasojë e skandalit më të madh politik të regjistruar në dekadat e fundit në Kinë.
Biznesmeni 41-vjeçar britanik u gjet i vdekur në dhomën e një hoteli në Çongking më 15 nëntor të vitit të kaluar. Policia deklaroi atëherë se ai kishte vdekur si pasojë e konsumimit të tepruar të alkoolit. Por, agjentët që mbërritën në vendin e ngjarjes e dinin që ai ishte vrarë dhe u shqetësuan kur zbuluan se çështja ishte e lidhur me Bo Xilai.
Tre agjentë që po marrin pjesë në hetim kanë kërkuar të tërhiqen, ka deklaruar Hang Pingzao, një korrespondent i vjetër i së përditshmes “China Daily”.
“Ata ishin të tmerruar nga fakti që në ngjarje ishte përfshirë një politikan”, ka thënë ai.
Mediat britanike aludojnë se Heywood është helmuar me cianur. /Telegrafi/


