Please enter at least 3 characters.

Vashat e Kosovës pësojnë humbjen e katërt rresht në Lojërat Mesdhetare

Hendbollistet e Kosovës kanë pësuar edhe një humbje të thellë në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”.

“Dardanet” të premten në Fasano janë mposhtur nga Tunizia me rezultat 38:10, në kuadër të Grupit A.

Kosova pati vështirësi të mëdha gjatë gjithë ndeshjes, sidomos në pjesën e parë. Për 30 minuta, hendbollistet kosovare arritën të shënonin vetëm tre gola, ndërsa Tunizia krijoi epërsi të madhe.

Edhe në pjesën e dytë, skuadra e drejtuar nga përzgjedhësi kroat Nenad Shoshtariq nuk arriti të ndryshojë rrjedhën e ndeshjes, duke pësuar në fund një tjetër disfatë të thellë. Për Kosovën kjo ishte humbja e katërt rresht në Lojërat Mesdhetare.

Më efikasja te Kosova ishte Angjelina Krasniqi, e cila realizoi katër gola. Nga dy gola shënuan Elsa Kongjeli dhe Samanda Konjuhaj, ndërsa nga një gol realizuan Vanesa Kastrati dhe Aurea Konjuvca.

Kosova po paraqitet në “Taranto 2026” me një ekip të përbërë kryesisht nga hendbolliste të reja, duke e shfrytëzuar këtë garë edhe si përvojë për të ardhmen.

Në ndeshjen e parë të Grupit A, Kosova u mposht 35:20 nga Algjeria, ndërsa në duelin e dytë pësoi humbje 40:20 nga Greqia. Në ndeshjen e tretë, “Dardanet” humbën 38:21 nga Italia.

Ndeshjen e fundit në fazën e grupeve, Kosova do ta zhvillojë të dielën nga ora 17:30, kur do të përballet me Maqedoninë e Veriut. /Telegrafi/