Please enter at least 3 characters.

Ultimatum në Vëllaznim

2016/01/ultimatum-n-euml-v-euml-llaznim_hd.jpg

Kryesia ua ka borxh katër rroga lojtarëve dhe shtabit teknik, plus tri premi, të cilat ka premtuar se do t’i shlyente në fund të janarit ose në fillim të shkurtit, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur ende, shkruan Zëri.

Kjo i ka shtyrë futbollistët dhe shtabin teknik që t’ia vendosin një ultimatum kryesisë deri më 22 shkurt. Në rast se as deri në atë datë nuk shlyhen të gjitha borxhet, bashkërisht, të lartpërmendurit do t’i bojkotojnë stërvitjet e 23 shkurtit e tutje.

“Kryesia na ka premtuar se kah fundi i janarit ose fillimi i shkurtit, do të na shlyente borxhet, por kjo deri tash nuk ka ndodhur, pasi po i presin subvencionet nga Komuna. Por, durimit i ka ardhur fundi. Futbollistët dhe shtabi teknik më kanë autorizuar mua, t’ia komunikoj kryesisë vendimin se do ta presim vetëm deri më 22 shkurt, për të na shlyer të gjitha borxhet”, deklaroi trajneri i Vëllaznimit, Genc Hoxha.

“Në rast se nuk kryhen obligimet deri në atë datë, më datën 23 nuk do të dalim në stërvitje e as nuk do t’i zhvillojmë ndeshjet në pjesën e dytë të sezonit”, shprehet i vendosur trajneri gjakovar. /Telegrafi/