Ujësjellësi në Mitrovicë shpërndan ujë të pijes për qytetarët, vendosen cisterna në disa lokacione
Pas shpërthimit në kanalin Ibër-Lepenc, Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Mitrovica” ka thënë se janë duke punuar në zgjidhjen afatgjate të problemit.
KRU “Mitrovica” njofton se kanë filluar me shpërndarjen e ujit të pijes për qytetarët, përmes cisternave të cilat janë vendosur në disa lokacione, shkruan Telegrafi.
Sipas njoftimit, një cisternë e ardhur nga Malisheva do të vendoset tek “Salla e Sporteve” në Skenderaj.
Një cisternë tjetër nga KRU “Hidroregjioni Jugor” nga Prizreni do të vendoset në Spitalin e Përgjithshëm të Mitrovicës në Bair.
Ndërsa, një cisternë nga KEK –u do të furnizojë qytetarët e veriut të Mitrovicës.
Kujtojmë që mbrëmë ka ndodhur një shpërthim në kanalin Ibër-Lepenc, në fshatin Vargarë të Zubin Potokut, i cili ka shkaktuar dëme të mëdha./Telegrafi/


