Please enter at least 3 characters.

Trump publikon pamjen e pasaportës së re amerikane me portretin e tij, por një detaj shkaktoi bujë të madhe

Presidenti amerikan, Donald Trump prezantoi dizajnin e ri të një pasaporte speciale amerikane me portretin e tij, e cila do të lëshohet në edicion të kufizuar për të shënuar 250-vjetorin e themelimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

"Nga pasaporta e re amerikane: 'Mirë se vini, por silluni mirë!'", shkroi Trump në rrjetin Truth Social.

Krahas mesazhit, ai publikoi një pamje të faqes së pasaportës ku shfaqet portreti i tij mbi tavolinën presidenciale, me tekstin e Deklaratës së Pavarësisë në sfond dhe nënshkrimin e tij në fund.

Në faqen përballë ndodhet piktura e njohur "Deklarata e Pavarësisë" e piktorit John Trumbull.

Megjithatë, vëmendjen më të madhe e tërhoqi mesazhi "Mirë se vini, por silluni mirë!", i cili u bë objekt talljesh në rrjetet sociale.

Shumë përdorues theksuan se një pasaportë u lëshohet qytetarëve amerikanë për të udhëtuar jashtë vendit dhe për t'u rikthyer në SHBA, ndaj mesazhi i drejtuar vizitorëve apo emigrantëve nuk ka kuptim në një dokument të tillë. Për këtë arsye, shumë komentues vunë në pikëpyetje nëse presidenti e kupton funksionin e pasaportës.

Dizajni i ri përfshin një portret të liderit amerikan të bazuar në pikturën e tij zyrtare në Muzeun Kombëtar Smithsonian në Uashington.

Ky version ndryshon nga modelet provë të publikuara më herët gjatë vitit nga Departamenti Amerikan i Shtetit, ku përdorej një fotografi tjetër e presidentit.

Më vonë, edhe llogaria zyrtare e Shtëpisë së Bardhë në rrjetin X publikoi të njëjtën ilustrim me përshkrimin "Pasaporta e re amerikane për të përkujtuar 250-vjetorin e Amerikës". /Telegrafi/