Tre gjigantët evropianë refuzuan mundësinë për të nënshkruar me Leaon
Sipas raportimeve nga Italia, Milani ia ka ofruar Rafael Leaon Arsenalit, Manchester United dhe Barcelonës, por asnjëra prej këtyre skuadrave nuk duket veçanërisht e gatshme të shpenzojë shuma të mëdha për të.
Sulmuesi mund të jetë duke iu afruar fundit të aventurës së tij në “San Siro”, pasi kontrata i skadon në qershor të vitit 2028 dhe nuk ka asnjë sinjal se zgjatja e saj është në horizont.
Duke marrë parasysh situatën, kjo verë përbën mundësinë e fundit që Milani të përfitojë një shifër të konsiderueshme nga shitja e tij, para se të shfaqet rreziku që ta humbasë më pas si lojtar të lirë.
Edhe pse Leao ka një klauzolë lirimi në kontratë që raportohet të jetë 120 milionë euro, Milani në këtë fazë do të kënaqej edhe me 80–90 milionë euro për talentin e paqëndrueshëm.
Megjithatë, gjetja e një klubi të gatshëm ta paguajë këtë shumë dhe ku vetë Leao do të pranonte të transferohet, mund të jetë e vështirë.
Sportitalia pretendon se “Rossonerët” dhe agjenti i lojtarit janë përpjekur ta “shesin” atë te disa klube që kishin shfaqur interes në të kaluarën, si Arsenali, Manchester United dhe Barcelona.
Por tentativa nuk ka shkuar mirë, pasi asnjë prej tyre nuk është dukur e përgatitur të hyjë në bisedime më të thelluara.
Fenerbahce dhe Galatasaray janë përmendur si opsione të mundshme, po ashtu edhe klube nga Arabia Saudite, por bindja e Leaos për t’i pranuar këto lëvizje është një çështje tjetër.
Reprezentuesi i Portugalisë mbush 27 vjeç muajin e ardhshëm dhe ka arritur në një pikë të karrierës ku nuk konsiderohet më thjesht si lojtar “me potencial”, por duhet të jetë produkt i formuar.
Ai arriti gjithsesi statistika të pranueshme këtë sezon: 10 gola dhe tri asistime në 30 ndeshje zyrtare, por shpeshherë është dukur i painteresuar ose i frustruar me trajnerin Max Allegri./Telegrafi/


