Trajtimi i çrregullimeve logopedike, Dion Gjoka flet për sfidat dhe sukseset në terapinë e komunikimit
Logopedia është një fushë e cila fokusohet tek përmirësimi i të folurit të fëmijëve e të rriturve dhe tek përmirësimi i aftësive për të kuptuar dhe për të shprehur gjuhën, përfshirë edhe gjuhën joverbale.
Dion Gjoka, logoped në Qendrën Terapeutike “Oaza”në Gjakovë, në një intervistë për Telegrafin, tregoi fillimisht se me çfarë merret saktësisht shkenca e Logopedisë.
“Logopedia është shkencë shëndetësore terapeutike që fokusohet në parandalimin, diagnostikimin dhe trajtimin e të gjitha çrregullimeve që përfshijnë komunikimin, gjuhën, të folurit, zërin, leximin, shkrimin dhe gëlltitjen. Ka shumë diagnoza që shoqërohen me problemet logopedike, ndër to, më të shpeshtat janë Sindroma Doën dhe Autizmi, e Autizmi është ndër diagnozat në të cilat ekspertiza ime profesionale është fokusuar më së shumti.”, tha fillimisht Gjoka, shkruan Telegrafi.
Sa i përket asaj se cila është diagnoza më e shpeshtë e cila trajtohet nga një logoped, Gjoka potencoi që vazhda e ç’rregullimeve logopedike është shumë e gjerë.
“Vazhda e çrregullimeve logopedike është shumë e gjerë dhe asnjë prej çrregullimeve nuk është i njejtë me tjetrin. Po ashtu, nëse ndalemi në një çrregullim specifik dhe analizojmë dhjetra persona që ndajnë diagnozën e njejtë do të vërejmë që trajtimi i secilit person do të bëhet në formë të ndryshme nga tjetri. Një gjë e tillë na tregon që arritja e progresit nuk varet gjithmonë nga diagnoza, aq sa varet nga rëndesa apo shkalla e elementëve kryesor të asaj diagnoze që e kanë prekur personin e caktuar. E më të vështirat për të arritur rezultatet e dëshiruara, janë ato çrregullime, gjatë të cilave janë të dëmtuara pjesët e trurit, zona Ëernicke dhe Broca, të cilat janë përgjegjëse për të kuptuarit dhe respektivisht të shprehurit e një personi.”, potencoi Gjoka.
Logopedi Gjoka, u shpreh që pjesë që ka rëndësi më së shumti në trajtimin logopedik të një problemi është identifikimi i tij i hershëm.
“Pjesa më e rëndësishme tek çrregullimet logopedike është identifikimi i hershëm i problemit. Që një prind të ndihet rehat me veten dhe që fëmija të zhvillohet më shpejt e më lehtë, intervenimi duhet të bëhet menjëherë pasi që prindi dallon simptomat e para, të dergoj fëmijën në vizitë tek logopedi.”, tha ai.
Njohuria e prindit për zhvillimin e gjuhës komunikuese, është një ndër faktorët kyç për të cilën një prind duhet të ketë njohuri, pasi që nga aty mund të kuptohet nëse fëmija i tyre ka nevojë për trajtim nga logopedi.
Gjoka foli edhe për inkuadrimin në shoqëri të një fëmije i cili ka ç’rregullime në të folur.
“Problemi në të folur nuk mund të ndikoj nëse një fëmijë me një ç’rregullim të caktuar inkuadrohet në shoqëri. Një shoqëri e shëndoshë i jep motiv një fëmije që problemin ta shndërroj në forcë, forcë e cila do ti ndihmoj në tejkalim sa më të shpejt të problemit. Kjo edukatë duhet të instalohet tek çdo femijë nga prindërit e tyre, në mënyrë që bullizmi të reduktohet maksimalisht dhe shumica e fëmijëve të gëzojnë shëndet mendor të mirë.”, u shpreh logopedi.
Ndërsa ndër të tjera Gjoka tha se në fushën e logopedisë nuk mund të bëhet një parashikim se sa mund të zgjasë trajtimi i një ç’rregullimi të fushës logopedike.
“Në fushën e logopedisë, asnjëherë nuk mund të bëjmë parashikime. Po, mund të bëjmë planifikime që një objektivë e caktuar duhet të arrihet për një kohë të caktuar. Por, kohëzgjatja e trajtimit varet nga natyra e çrregullimit, intensiteti i trajtimit, e ndër më të rëndësishmet bashkëpunimi i familjes së fëmijës me logopedin, ku në qendrën pjesa më e rëndësishme e trajtimit të fëmijës është prindi, e pikërisht kjo është arsyeja pse ata janë prezent gjatë seancave në qendër.”, përfundoi kështu logopedi Dion Gjoka./Telegrafi/


