Please enter at least 3 characters.

Totaj uron kampionin Riad Mani të karatesë: Sukses i madh për Prizrenin dhe Kosovën

Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, ka pritur sot kampionin mesdhetar të karatesë, Riad Mani, për ta uruar pas suksesit të arritur në Kampionatin Mesdhetar të Karatesë, i mbajtur në Aleksandri të Egjiptit.

Përmes një njoftimi, Totaj bëri të ditur se karateisti prizrenas është shpallur kampion mesdhetar, duke i sjellë një tjetër sukses të madh sportit kosovar dhe qytetit të Prizrenit.

Në takim ishte e pranishme edhe trajnerja e tij, Elona Kolgeci nga Klubi i Karatesë “K. Drini”, e cila është vlerësuar për kontributin e saj në përgatitjen dhe suksesin e kampionit të ri.

“Ky është edhe një sukses i madh i të rinjve tanë që na bën krenarë të gjithëve. Ju dëshiroj edhe shumë suksese dhe medalje në garat e ardhshme”, ka deklaruar Totaj.

Ai ka përgëzuar Riad Manin për paraqitjen e shkëlqyer dhe ka shprehur mbështetjen e vazhdueshme për sportistët që përfaqësojnë me dinjitet Prizrenin dhe Kosovën në arenën ndërkombëtare./Telegrafi/