Tifozët e Liverpoolit thonë të njëjtën gjë rreth debutimit të Florian Wirtz në humbjen nga Milani
Kjo verë ka qenë e mbushur me disa prej transferimeve më të mëdha në botën e futbollit, por padyshim asnjë nuk ka qenë më i bujshëm se ai i Florian Wirtz te Liverpooli.
Mesfushori gjerman shkëlqeu me Bayer Leverkusen gjatë viteve të fundit, duke u shndërruar në një forcë të vërtetë për klubin e Bundesligës. I konsideruar si një nga lojtarët më premtues në botë, ai u tundua nga oferta e "The Reds", të cilët paguan 140 milionë euro për ta sjellë në Anfield.
Ky ishte transferimi i parë madhor i trajnerit Arne Slot, teksa ai ndërton një skuadër që synon të rikthejë titullin e Ligës Premier sezonin e ardhshëm.
Si rrjedhojë, entuziazmi për Wirtz ishte i madh dhe tifozët më në fund patën mundësinë ta shihnin atë në fushë për herë të dytë, në miqësoren kundër Milanit të shtunën pasdite.
Mesfushori ofensiv nisi për herë të parë si titullar me fanellën e Liverpoolit, duke luajtur pjesën e parë të ndeshjes përpara se të zëvendësohej në pushim. Megjithatë, pavarësisht humbjes 4-2 ndaj skuadrës italiane, ajo pjesë e parë ishte e mjaftueshme për të ndezur komentet dhe entuziazmin në rrjetet sociale.
Edhe pse ndeshjet parasezonale nuk ofrojnë intensitetin e garës zyrtare, ato janë ideale për të parë nga afër fytyrat e reja të klubit. Dhe tifozët e Liverpoolit përfituan plotësisht, duke parë për herë të dytë Wirtz me fanellën e kuqe.
Pavarësisht se luajti vetëm 45 minuta, Wirtz u dha atyre shumë për të komentuar. Klubi mund ta ketë humbur ndeshjen, por performanca e tij u vlerësua gjerësisht, dhe momentet kryesore të paraqitjes së tij u bënë virale në rrjetet sociale.
Tifozët nuk e kursyen vlerësimin e tyre. Njëri prej tyre shkroi në X:"Ligën Premier nuk është gati për këtë talent të gjeneratës".
Një tjetër shtoi: "Jam këtu për t’ju thënë se Wirtz është një blerje e jashtëzakonshme për Liverpoolin".
Një mbështetës tjetër u shpreh i entuziazmuar: "Wirtz është një magjistar. Mënyra se si krijon një rast nga asgjëja është e pabesueshme. Pasimet e tij janë të menjëhershme, ai lëviz sikur të ishte duke ecur. I paparashikueshëm, brilant në hapësira të ngushta dhe i fortë në mbajtjen e topit. Një numër 10 fantastik".
Një komentues tjetër ishte disi më i matur, duke thënë: "Wirtz luajti si një 9 i rremë sot, ndaj nuk kishte shumë kontakt me topin, por pamë qartë se çfarë është i aftë të bëjë kur e ka atë".
Ndërsa komenti më i shkurtër, por i drejtpërdrejtë, ishte: "Wirtz ishte i shkëlqyer". /Telegrafi/


