Please enter at least 3 characters.

Thaçi nënshkruan kontratën për ndërtimin e QKMF-së së re në Obiliq: Të premten vendoset gurthemeli me Kurtin dhe Vitinë

Kryetari i Komunës së Obiliqit, Halil Thaçi, ka bërë të ditur se është nënshkruar kontrata për ndërtimin e objektit të ri të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF), projekt që, sipas tij, pritet të përmirësojë ndjeshëm shërbimet shëndetësore për qytetarët e komunës.

Përmes një postimi në Facebook, Thaçi ka theksuar se ky projekt përbën një hap të rëndësishëm për sektorin e shëndetësisë në Obiliq.

"Sot hodhëm një tjetër hap të rëndësishëm për shëndetësinë në Obiliq. Me kënaqësi nënshkrova kontratën për ndërtimin e objektit të ri të QKMF-së, një investim i shumëpritur që do të përmirësojë ndjeshëm kushtet e ofrimit të shërbimeve shëndetësore për qytetarët tanë", ka deklaruar Thaçi.

Ai ka njoftuar gjithashtu se të premten, në ora 15:30, do të vendoset gurthemeli i këtij projekti, në praninë e kryeministrit Albin Kurti dhe ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia.

"Të premten bashkë me kryeministrin Albin Kurti dhe ministrin e Shëndetësisë Arben Vitia në ora 15:30 do të vendosim gurthemelin e këtij projekti, duke shënuar fillimin e punimeve për një objekt modern, dinjitoz dhe në shërbim të çdo qytetari", ka shtuar ai.

Në fund, kryetari i Obiliqit ka theksuar se realizimi i këtij projekti është pjesë e angazhimeve të qeverisjes lokale për zhvillimin e komunës.

"Premtimet po i shndërrojmë në vepra. Obiliqi po ecën përpara", ka përfunduar Thaçi. /Telegrafi/