Testimi i dronit “Skifteri”, nga Ministria e Mbrojtjes thonë se nuk janë njoftuar për rastin
Pas publikimit të pamjeve nga testimi i dronit kosovar “Skifteri K1”, i cili demonstron aftësi goditëse me rreze veprimi deri në një mijë kilometra nga Ministria e Mbrojtjes kanë thënë se nuk kanë informacione në lidhje me këtë zhvillim.
Në një përgjigje dërguar Telegrafit nga ministria thonë se me drejtuesin e kompanisë Future Minds Academy kanë pasur një kontakt, mirëpo se pas kësaj nuk kanë zhvilluar ndonjë diskutim për dronin “Skifteri K1”.
Po ashtu, nga ministria thonë se “nuk disponojmë informacione të mjaftueshme në lidhje me prodhimin, lejet për testim, procesin e testimit apo çështje të tjera përkatëse”.
“Drejtuesin e kompanisë Future Minds Academy e kemi takuar në kuadër të aktivitetit Sharkathon, të mbajtur më 8 tetor 2025, i cili kishte për qëllim demonstrimin e inovacionit vendor në fushën e teknologjisë së dronëve. Ky aktivitet është organizuar në bashkëpunim me Odën Ekonomike Amerikane dhe në kuadër të këtij eventi janë testuar vetëm dronë komercialë, dhe jo ndonjë kategori tjetër e dronëve. Lidhur me dronin e quajtur ‘Skifter K1’, nuk kemi zhvilluar asnjë diskutim dhe nuk disponojmë informacione të mjaftueshme në lidhje me prodhimin, lejet për testim, procesin e testimit apo çështje të tjera përkatëse”, kanë thënë nga Ministria e Mbrojtjes.
Sipas tyre çdo testim që bëhet brenda territorit të Kosovës duhet të ketë një leje, mirëpo siç thanë nuk ka informacione për rastin në fjalë.
Nga Ministria e Mbrojtjes po ashtu thonë për Telegrafin se institucionet përkatëse janë duke e përcjellë situatën për të gjitha aspektet e nevojshme, në përputhje me kompetencat ligjore.
“Sa i përket pyetjes suaj, po sigurisht kërkohet një leje për testim, dhe përderisa nuk kemi informacion që janë ndjekur këto procedura nuk mund të themi që testimi ka qenë real apo i gjeneruar nga AI. Megjithatë, inkurajojmë dhe mirëpresim çdo inovacion teknologjik në fushën e dronëve që synon zhvillimin dhe prodhimin vendor në Republikën e Kosovës, përderisa janë në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe standardet përkatëse”, thonë nga Ministria e Mbrojtjes.
Ndryshe, ditë më parë Ridvan Aliu, prodhuesi i dronëve ka bërë të ditur për Telegrafin se testimi nuk është zhvilluar në territorin e Kosovës, por jashtë vendit.
“Testimi është bërë jashtë Kosovës, në lokacionin e klientit. Goditja është e vërtetë, mirëpo për shkaqe të sigurisë edhe me kërkesë të klientit tonë, pamjet janë bërë invert dhe me night vision on. Më shumë informata nuk mundem të jap”, kishte deklaruar Aliu për Telegrafin.
Sipas tij, kufizimi i informatave lidhet drejtpërdrejt me aspektet e sigurisë dhe marrëveshjen me klientin, ndërsa projekti konsiderohet i ndjeshëm për shkak të kapaciteteve teknologjike që posedon droni.
Se cila është e vërteta në këtë situatë Telegrafi do të raportojë në vazhdimësi. /Telegrafi/


