Please enter at least 3 characters.

Tentoi të vriste katër persona brenda një lokali në Deçan, ngrihet aktakuzë ndaj të dyshuarit

Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë ndaj një personi me inicialet I.Z., nën dyshimin se ka kryer veprat penale "Vrasje e rëndë" në tentativë dhe "Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve".

Sipas njoftimit të Prokurorisë, ngjarja ka ndodhur më 13 janar 2026, rreth orës 00:15, brenda një lokali në komunën e Deçanit.

"I pandehuri, i motivuar nga përkatësia kombëtare e të dëmtuarve, dyshohet se me përdorimin e një arme zjarri ka tentuar t'i privojë nga jeta katër persona", thuhet në aktakuzë.

Si pasojë e të shtënave, tre persona kanë mbetur të plagosur.

"Tre të dëmtuar kanë pësuar plagë nga arma e zjarrit, prej të cilëve dy kanë marrë lëndime të rënda trupore, ndërsa njëri lëndime të lehta trupore. Personi i katërt ka arritur t'i shmanget sulmit pa u lënduar", njofton Prokuroria.

Sipas aktakuzës, I.Z. dyshohet se armën me të cilën është kryer sulmi e mbante pa autorizim ligjor, në kundërshtim me Ligjin për Armët.

"Pas arrestimit të tij, gjatë kontrollit dhe bastisjes janë sekuestruar arma e zjarrit dhe municion", thuhet në njoftim.

Prokurori i Shtetit i ka propozuar gjykatës që, pas zhvillimit të shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit për veprat penale që i vihen në barrë. /Telegrafi/