Please enter at least 3 characters.

Të vjella, nxjerrje gjaku dhe puthje të shenjta - e vërteta për mjekësinë mesjetare

Një farmaci mesjetare, siç paraqitet në një freskë të shekullit XIV në Valle d’Aosta, Itali
(De Agostini Editorial)

Historia e shëndetit në Mesjetë nga Katherine Harvey tregon se njerëzit ndanin shumë prej të njëjtave shqetësime që kemi edhe ne sot ...

Nga: Helen Carr / The Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com

Njerëzit e Mesjetës ishin të papastër dhe të sëmurë. Ata kishin një jetëgjatësi të ulët; ishin të mbushur me pleshta dhe shpesh të prekur prej sëmundjeve. Kishin pak njohuri për mjekësinë, ose për trupin e njeriut në përgjithësi.

Ky është miti popullor dhe duket i padiskutueshëm për jetën mesjetare. Historiania Katherine Harvey synon ta ndryshojë këtë. Në librin Udhëzuesi mesjetar për jetesë të shëndetshme [The Medieval Guide to Healthy Living], ajo shqyrton se si njerëzit në Mesjetë e kuptonin në të vërtetë shëndetin dhe kujdesin shëndetësor. Siç rezulton, nga tretja te plakja, nga shëndeti mendor te ushtrimi fizik, shqetësimet e njeriut të zakonshëm mesjetar shpesh pasqyronin tonat.

Sipas mendësisë mesjetare, ekuilibri trupor ishte thelbësor. Në zemër të kësaj filozofie qëndronte teoria humorale [gjendje shpirtërore - shën. i përkth.], sipas së cilës trupi përbëhej nga katër “humore” ose lëngje. Këto ishin gjaku [temperamenti sanguin - shën. i përkth.] (“i nxehtë, i lagësht dhe ajror”), flegma [temperamenti flegmatik - shën. i përkth.] (“e ftohtë, e lagësht dhe ujore”), vreri i zi [temperamenti melankolik - shën. i përkth.] (“i ftohtë, i thatë dhe tokësor”) dhe vreri i verdhë [temperamenti kolerik - shën. i përkth.] (“i nxehtë, i thatë dhe i zjarrtë”). Ruajtja e ekuilibrit midis këtyre katër humoreve, në teori, të bënte të shëndetshëm; nëse ai prishej, pasonte sëmundja.

Njerëzit mesjetarë shqetësoheshin gjithashtu për çehren e tyre, mënyrën e jetesës - rëndësia e “ajrit të pastër e të kulluar” nuk mund të nënvlerësohej kurrsesi - dhe për tretjen. Në fakt, kjo e fundit ishte një lloj obsesioni: ata bënin përpjekje të jashtëzakonshme për të shmangur çdo çrregullim në jashtëqitje. Njiheshin zgjidhje mjaft të njohura, si zierja e farave të lirit në ujë dhe konsumimi i tyre, por nëse kjo dështonte, Harvey tregon se dikush mund të “merrte një copë sapun, ta bënte të vogël, ta vendoste në fundament [pra, në anus] dhe pastaj të pushonte në shtrat”.

Pastrimi i trupit dhe flebotomia (nxjerrja e gjakut) ishin pjesë qendrore e jetës mesjetare. Dhe. kur të vjellat reale nuk ishin të mundshme apo të dëshirueshme, një “vjellje” rrëfyese konsiderohej e nevojshme: dështimet morale, shpjegon Harvey, ishin “thjesht një tepricë tjetër që duhej nxjerrë jashtë”. Për njerëzit mesjetarë, shëndeti dhe feja ishin të ndërthurura; imazhet dhe idhujt nxisnin reagime të forta emocionale. Njerëzit besonin se vetëm duke i parë, mund të përthithnin cilësitë shpirtërore që këto objekte mbartnin. Disa shkonin edhe më tej: në dorëshkrime fetare janë gjetur gjurmë pështyme dhe vajrash, gjë që sugjeron puthje dhe ledhatime. Në një botë plot pasiguri, kjo shërbente si një formë lehtësimi nga ankthi.

Shën Françesku duke trajtuar viktima të lebrës ose lisë (artist i panjohur)(Alamy)

Një nga ankthet më të mëdha, veçanërisht për gratë, ishte lindja. Kjo ishte e arsyeshme, duke pasur parasysh se pesë përqind e grave angleze vdisnin gjatë lindjes; dëshmitë prej Firence sugjerojnë një shkallë edhe më të lartë, një në pesë. (Në Britaninë e sotme, përqindja është rreth një e dhjetëmijta e një përqindjeje të vetme.) Shtatzënia ishte një proces i pasigurt, gjatë të cilit një nënë mund të merrte masa paraprake, si shmangia e ushqimeve të kripura - “që do të çonin në fëmijë pa flokë ose pa thonj” - dhe, në mënyrë më të arsyeshme, shmangia e gocave të detit.

Megjithatë, gjatë vetë lindjes, nëna dhe fëmija ishin në duart e Zotit dhe gratë e krishtera i drejtoheshin Atij për mbrojtje përfundimtare. Breza të zbukuruar me lutje dhe simbole fetare mbështilleshin shpesh rreth barkut të një gruaje në lindje; në një brez të ruajtur, janë gjetur gjurmë të lëngut cerviko-vaginal. Gratë kishin gjithashtu ndihmë praktike nga mamitë, të cilat nga ana e tyre mund të ndihmoheshin prej teksteve si Trotula, një manual i kujdesit shëndetësor i shekullit XII, i shkruar nga një grua.

Të paktën është ngushëlluese të dihet se mjeku i madh italian Michele Savonarola - gjyshi i fratit famëkeq Girolamo - “ishte në favor të ulërimës së fortë, e cila e ndihmonte gruan, por gjithashtu bënte që burri dhe familja e saj të ndienin keqardhje për të, kështu që i ndiznin zjarre dhe i sillnin ushqim të mirë dhe verë”.

Nëse fëmija (dhe nëna) i mbijetonin lindjes, ushqyerja me gji konsiderohej thelbësore. Teologu Thomas of Chobham e cilësonte refuzimin e një gruaje për të ushqyer me gji si “të barasvlershëm me vrasje”. Duket se kryesisht burrat e kundërshtonin mosushqyerjen me gji; disa i akuzonin gratë për “kotësi”. Megjithatë, siç e dinë mirë gratë e sotme, kjo nuk ishte gjithmonë e mundur, pavarësisht se çfarë mund të dëshironin burrat. Në mungesë të formulave moderne për foshnja, alternativa më e mirë ishte një mëndeshë, shpesh e punësuar nga gratë e pasura; idealja do të ishte nëse mëndesha ngjante sa më shumë me nënën.

Libri i Katherine Harveyit, “Udhëzuesi mesjetar për jetesë të shëndetshme” është i hulumtuar dhe i pasur në detaje(Reaktion)

Tridhjetë përqind e fëmijëve vdisnin brenda një viti nga lindja; edhe 20 përqind të tjerë nuk arrinin moshën madhore. Pesëdhjetë përqindëshi i mbetur përballej me mundësinë gjithmonë të pranishme të vdekjes nga sëmundjet. Murtaja është shembulli më i njohur i vdekshmërisë mesjetare, por edhe kanceri ishte i përhapur; ndërhyrjet kirurgjikale kryheshin, si atëherë ashtu edhe sot, në rast tumori - ndonëse me shkallë më të ulët mbijetese. Lebra ishte po aq sëmundje e rëndë; njerëzit kishin frikë se mund ta merrnin si sëmundje veneriane ose përmes kontaktit të afërt.

Megjithatë, ndaj të prekurve nga lebra tregohej më shumë empati sesa supozojnë pasardhësit. Disa prej tyre dëboheshin në “kolonitë” e famshme, por shumë vetë jetonin “në një gjendje gjysmë-integrimi”. Në qytetin gjerman të Vormsit, të sëmurëve me lebër u lejohej të dilnin për pazar, me kusht që të mbanin një kapelë gri. Edhe ndaj personave me aftësi të kufizuara tregohej njerëzillëku: kemi dëshmi për integrim shoqëror dhe mbështetje familjare, të shoqëruara me mjete ndihmëse si “shkopinj, paterica dhe mbështetëse për duar”.

Plakja gjithashtu shkaktonte ankth të ngjashëm dhe merrte vëmendje të ngjashme me atë sot. Besohej se ishte një humbje e lagështisë në trup - thjesht tharje - dhe njerëzit mesjetarë përpiqeshin të ruanin pamjen rinore duke shtuar lagështi në fytyrë përmes vajrave. Atëherë, si edhe sot, paraardhësit tanë ishin të vetëdijshëm se plakja nënkuptonte humbje të pavarësisë. Petrarku i moshuar i tha një herë mjekut të tij se ndihej “si barrë e trishtuar, e rëndë për të tjerët”.

Udhëzuesi mesjetar për jetesë të shëndetshme është vepër e hulumtuar mirë dhe e pasur në detaje, dhe Harvey ka bërë përpjekje të jashtëzakonshme për të mbështetur tezën e saj. Nuk mund të dalësh prej këtij libri pa u bindur se është e tejkaluar klisheja për njerëz të pistë mesjetarë. Faktet flasin vetë. Është e vërtetë se janë të shumta dhe rrëfimi i Harveyit ndonjëherë mund të duket i mbingarkuar me detaje, duke mos i lënë hapësirë të mjaftueshme kërkimit të saj të shkëlqyer për të “marrë pak frymë”. Por, në tërësi, si histori shoqërore e Mesjetës, kjo është një vepër shumë e këndshme - me të gjitha të metat e saj. /Telegrafi/