Spitali i Mitrovicës: 143 operacione të syrit në tre muaj në repartin e Oftalmologjisë
Spitali i Përgjithshëm “Dr. Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë ka njoftuar se në repartin e Oftalmologjisë janë kryer 143 operacione të syrit brenda një periudhe tre-mujore.
Në një postim në Facebook, spitali ka vlerësuar se ky repart “po vazhdon të dëshmojë një përkushtim të lartë dhe efikasitet të jashtëzakonshëm” në ofrimin e shërbimeve shëndetësore për qytetarët, duke theksuar se ndërhyrjet kirurgjikale kanë ndikuar në përmirësimin e shikimit dhe cilësisë së jetës së pacientëve.
Sipas njoftimit, gjatë të njëjtës periudhë janë trajtuar edhe 153 pacientë të shtrirë, të cilët kanë marrë kujdes spitalor.
Spitali bën të ditur se reparti punon pa ndërprerje, 24 orë në ditë, dhe është i mbuluar me kujdestari e monitorim nga mjekë specialistë dhe infermierë të profilizuar.
Po ashtu, në njoftim thuhet se reparti i Oftalmologjisë ka në dispozicion 12 shtretër të kompletuar për pacientët që kërkojnë trajtim të syve. /Telegrafi/


