Skadon afati i shpalljes për zgjedhjen e Prokurorit të ri, në garë janë pesë kandidatë
Pesë kandidatë janë në garë për Prokuror të ri publik shtetëror. Kuvendi zyrtarisht nuk i publikon emrat e të paraqiturve, por disa prej tyre vetë e kanë bërë publike kandidaturën. Nga Kuvendi thonë se do të presin edhe një ditë për aplikimet që mund të mbërrijnë me postë, e më pas lista do t’i dërgohet Qeverisë. Prokurori i ri publik shtetëror zgjidhet në kuvend me 61 vota.
“Mbrëmë në mesnatë skadoi afati për paraqitjen e kandidatëve për zgjedhjen e Kryeprokurorit të ri të shtetit. Sipas informacioneve zyrtare, në shpallje janë paraqitur pesë kandidatë, pasi të përfundojnë procedurat ligjore, deputetët në Kuvend do ta kenë fjalën përfundimtare për atë se kush do ta udhëheqë këtë institucion për gjashtë vitet e ardhshme”, raporton Mihajlo Donev, gazetar.
Nga Kuvendi megjithatë nuk i zbulojnë emrat e kandidatëve, duke thënë se para se të dërgojnë biografitë e tyre në Qeveri, do të presin edhe një ditë, në rast se mbërrin ndonjë aplikim me postë.
“Kandidaturat e pranuara nga Kuvendi dërgohen në Qeveri. Më tej, Qeveria dhe Këshilli i Prokurorëve Publikë e zbatojnë procedurën ligjore dhe në fund propozimi për Prokuror publik shtetëror dërgohet në Kuvend për votim”, njoftojnë nga Kuvendi. Edhe pse Kuvendi nuk i zbulon emrat, ish-kryetari i Gjykatës Themelore Shkup, Vlladimir Pançevski, ishte i pari që publikisht e shpalli kandidaturën e tij. Në deklaratë për Alsat më herët, Pançevski tha se është paraqitur për shkak të përvojës që posedon, si dhe se prokurori i ri nuk duhet të shkojë në “gjueti shtrigash”, por të tregojë drejtësi.
Përveç Pançevskit, kandidaturën e tij për Alsat e konfirmoi edhe gjyqtari në Gjykatën Penale të Shkupit, Nenad Savevski, i cili megjithatë nuk deshi të komentojë para se publikisht të shpallen emrat e të gjithë kandidatëve. Para se të bëhej gjyqtar, rreth 8 vite ka punuar në Prokurorinë e Shkupit dhe rreth një vit në Prokurorinë Themelore në Gostivar.
Siç mësohet, në shpallje është paraqitur edhe Anita Topollova-Isajllovska, e cila aktualisht ushtron funksionin e ushtrueses së detyrës së Prokurorit të Përgjithshëm shtetëror, deri në zgjedhjen e zëvendësit të përhershëm të Lupço Kocevskit, i cili dha dorëheqje në dhjetor.
Përveç këtyre tre emrave, kandidaturën e saj publikisht e shpalli edhe prokurorja Lençe Ristovska, e cila aktualisht i përfaqëson lëndët “Talir” kundër OBRM-PDUKM-së në pushtet. Ajo u paraqit edhe për gjykatëse në Gjykatën Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, por ajo zgjedhje më vonë u anulua.
Kandidatja e pestë është prokurorja Lidija Raiçeviq, e cila punon në Prokurorinë Themelore Publike, Shkup. Jozyrtarisht, interes për paraqitje kanë pasur edhe prokurorët e lartë publikë Vlladimir Milloshoski dhe Zllatko Bikovski, por kandidaturat e tyre zyrtare deri më tani nuk kanë mbërritur.
Sipas ligjit, Qeveria duhet ta dërgojë listën me kandidatë te Këshilli i Prokurorëve Publikë, ku, pasi të përgatitet mendimi për secilin kandidat, lista kthehet në Qeveri. Prej andej, bëhet seleksionimi dhe propozimi dërgohet në Kuvend. Prokurori i ri i Përgjithshëm shtetëror zgjidhet me 61 vota në Kuvend. /Alsat/


