Please enter at least 3 characters.

Shtrenjtimi i rrymës elektrike dhe “Kosova e Re” politike

Prej datës 1 prill 2010 ose ditës së rrenave, Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) mendon ta zbatojë rritjen e çmimit të energjisë elektrike prej 14,6 për qind, të cilën rritje ia ka kërkuar Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) për miratim. Kjo e dyta ka dhënë arsyetimet se nuk e ka ndërmend ta miratoj kërkesën e të parës, duke theksuar se të hyrat e tanishme të KEK-ut janë të mjaftueshme për mbulimin e shpenzimeve operative të tij dhe të KOSTT-it (Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut).

Rritjen e tarifave të energjisë elektrike në vlerë monetare nga çmimi mesatar 5,58 në 6,40 euro centë për kilovat orë (€/¢/kWh), KEK-u e kërkon për arkëtimin e të hyrave të përgjithshme në vlerë 178 milionë euro për shpenzime. Sipas përllogaritjeve të ZRrE-së, me tarifën e tanishme 5,58 €/¢/kWh arkëtohen 156 milionë euro. Nuk dihet se për çka nevojiten edhe 22 milionë shtesë në emër të shpenzimeve. Sigurisht se KEK-u do t’i dëshironte edhe 222 milionë.

Çmimi i tanishëm mesatar i energjisë në Kosovë është më i lartë se në Serbi ku është 4,91€/¢/kWh. Kjo e stimulon importin e rrymës nga Serbia, e cila edhe ashtu ka eksportuar në Kosovë nëpërmjet kompanisë së Damir Fazlliqit “Rudnap”. Rritja e çmimit në 6,40 €/¢/kWh do ta stimuloj edhe më tepër importin nga Serbia, plus nga Maqedonia ku çmimi aktual është 5,94 €/¢/kWh (deri tani më i shtrenjtë se në Kosovë, por bëhet më i lirë nëse miratohet kërkesa e KEK-ut për rritje në 6,40). Në shtet tjera rryma është më e shtrenjtë, me çmimin më të lartë në Mal të Zi prej 12,80 €/¢/kWh. Por Mali i Zi nuk e ka thëngjillin e Kosovës ose të Serbisë. KEK-u dyshohet se ka eksportuar shumë rrymë në Mal të Zi pas luftës. Nuk jemi të njohur me asnjë raport për sasinë e eksportuar, çmimin dhe të hyrat e realizuara.

Për çfarë synon të bëhet shtrenjtimi i rrymës elektrike dhe kush po e kërkon atë?

Zëdhënësi i KEK-ut (por jo edhe i Lekut!), Viktor Buzhala, thotë (Ekobiznesi 15.03.2010): “Të hyrat shtesë do të përdoren për shërbime më kualitative dhe më të bollshme, për investime në miniera, sidomos hapjen e minierës së Sibovcit jugperëndim, për mirëmbajtjen e termocentraleve, dhe investimeve në rrjetin distributiv”. Kjo sa i përket deklarimeve nga KEK-u, të cilat rrallë herë ndodh të dalin ashtu si thuhen, e shumë shpesh rezultojnë në diçka tjetër që mundohet të fshihet nga publiku.

Nuk dihet nëse në shpenzime operative të gjertanishme janë përfshirë pagat dhe banesat e një numri të madh punonjësish dhe drejtorësh të KEK-ut, sidomos te “Kroi i bardhë” në lagjen Dardania të Prishtinës, të ndara në gjysmën e dytë të vitit 2003. Po të shikoni një listë prej 14 banesave të KEK-istëve te “Kroi i Bardhë”, 9 prej tyre janë pronarë të lidhura me divizionin e mihjes. Nga erdhën ato banesa, dhe ku e ka burimin gjithë ai korrupsion i raportuar dhe dokumentuar në KEK që një dekadë, dhe për momentin, sipas raportit të Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), KEK-u perceptohet si kampioni i korrupsionit në Kosovë? Ekipet që zënë vendin e parë, për shembull KEK-u i futbollit, i kanë lojtarët dhe trajnerin e tyre. Ata dihen me emër dhe mbiemër sikur me rastin e KEK-ut elektrik.

Ministrja e Energjisë dhe Minierave (MEM), Justina Pula, duket sikur e arsyeton tërthorazi insistimin e KEK-ut për rritjen e tarifave kur shpreh bindjen se “KEK-u është kompani e pavarur” dhe ministria të cilën ajo drejton paska vendosur “të mos përzihet në çështjen e çmimit të energjisë”. Për më tepër, kur Ministres i duket e arsyeshme “tarifa e cila e mbulon koston e prodhimit”, mbetet e paqartë nëse ajo e miraton versionin e ZRrE-së apo të zëdhënësit të KEK-ut. Mirëpo, kjo paqartësi zgjidhet shumë lehtë nëse merret për bazë ajo se KEK-u si ndërmarrje publike vepron nën mbikëqyrjen e MEM-it, dhe në realitet keqpërdoret shumë nga pushteti, ndryshe nuk do të ishte “kampion i korrupsionit”.

Termocentrali “Kosova B” në pako me termocentralin “Kosova e Re”

Qeveria duket se ka vendosur ta përfshijë në një pako ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re” me “Kosova B”. Kjo mund të kuptohet drejtpërdrejtë nga deklarimet për shtyp të ministres Justina Pula kur thotë se “në formë definitive, kemi vendosur që termocentrali Kosova e re” të ndërtohet te “Kosova B”. Arsyetimi i Qeverisë është se një opsion i tillë është më i favorizuari për disa shkaqe, në mes tjerash për shkak të infrastrukturës dhe mundësive për të filluar punën sa më shpejtë. Padyshim se Qeveria nuk e ka fshehur qëllimin të jetë aksionar në “Kosova e Re”, prandaj edhe insiston në opsionet që shpijnë në fillimin sa më të shpejtë të punimeve, respektivisht gjatë kohës sa është në pushtet. Po të ndërtohet “Kosova e Re” në ndonjë lokacion krejt të ri nga investitorët e jashtëm, Qeveria vështirë se do të bëhej aksionarë.

Ndërtimi i “Kosova e Re” në lokacionin e “Kosova B” (në të cilën pas lufte janë investuar 200 milionë euro) po ashtu mund të shfrytëzohet për fshehjen e investimeve reale, ose paraqitjen e tyre në shifra të zmadhuara. Lokacioni aktual është përzgjedhur nga grupe të dyshimta të interesit politik, dhe si i tillë mendohet se nuk i plotëson as për së afërmi kriteret ndërkombëtare për ndotjen e mjedisit, ashtu siç nuk i plotësojnë as termocentralet ekzistuese në lokacionin ku gjenden sot.

Për fund, jo transparenca dhe bisedimet prapa dyerve të mbyllura që po i karakterizojnë shumë projekte të mëdha si “Kosova e Re”, ndërtimin e autostradës Vermicë – Merdare (tani e devijuar), privatizimi i PTK-së dhe KEK-ut, censura në RTK dhe lidhjet e shumë gazetave me krimin e organizuar të pushtetit, raportet “bombastike” dhe alarmante të mediave të huaja për gjendjen faktike në Kosovë, kanë krijuar dyshimin e madh në shoqëri se asnjë projekt nuk është serioz dhe në dobi të shoqërisë dhe shtetit të Kosovës, por pikë së pari në interes të grupeve politike të interesit.