Shpërthen raketa Blue Origin - dështoi misioni hapësinor i Jeff Bezosit
Raketa e kompanisë Blue Origin ka shpërthyer gjatë testimeve në platformën e lëshimit në Cape Canaveral, Florida, rreth orës 21:00 sipas kohës lokale, ndërsa kompania ka njoftuar se të gjithë punonjësit janë të sigurt.
Pamjet nga vendi i ngjarjes tregojnë raketën duke u shndërruar në një top të madh zjarri që përfshin zonën përreth platformës. Blue Origin ka bërë të ditur në rrjetet sociale se gjatë një “hotfire test” ka ndodhur një anomali, ndërsa shërbimi i emergjencave i qarkut Brevard njoftoi se nuk ka rrezik për publikun.
Jeff Bezos, themelues i kompanisë, deklaroi se të gjithë punonjësit janë të identifikuar dhe të sigurt.
“Është ende herët për të ditur shkakun kryesor, por tashmë po punojmë për ta përcaktuar atë”, shtoi ai.
Forcat Hapësinore të SHBA-së njoftuan se shërbimet emergjente ndodhen në terren dhe po bashkëpunojnë me kompaninë për të analizuar të dhënat në mënyrë që të përcaktohet shkaku i saktë i incidentit. Eksplozioni ndodhi gjatë një testi përgatitor para lëshimit të ardhshëm.
Administratori i NASA-s, Jared Isaacman tha se zhvillimi i sistemeve të reja të raketave të rënda është jashtëzakonisht sfidues dhe se agjencia do të mbështesë hetimin e detajuar dhe vlerësimin e ndikimeve afatshkurtra në misione.
Administrata Federale e Aviacionit (FAA) njoftoi se është në dijeni të incidentit, por theksoi se testi nuk ishte nën licencën e saj dhe se nuk ka pasur ndikim në trafikun ajror.
Blue Origin ishte nën hetim edhe muajin e kaluar pas një dështimi në lëshimin e një sateliti të kompanisë AST SpaceMobile me raketën New Glenn, kur ngarkesa nuk arriti orbitën e planifikuar. Megjithatë, kompania kishte arritur më herët sukses me lëshimin e New Glenn nga Florida dhe uljen e suksesshme të përforcuesit të saj të ripërdorshëm. /Telegrafi/


