Shkëndija me pesë ndeshje kontrolluese në dimër
KF Shkëndija nga Tetova ka zyrtarizuar programin e ndeshjeve kontrolluese në kuadër të përgatitjeve dimërore për pjesën e dytë të sezonit, njofton Telegrafi.
Kuqezinjtë do të zhvillojnë gjithsej pesë takime miqësore, një në vend dhe katër të tjera gjatë fazës përgatitore në Antalia të Turqisë.
Ndeshja e parë testuese është planifikuar më 15 janar, kur Shkëndija do të përballet në me ekipin AP Brera nga Strumica.
Dy ditë më pas, më 17 janar, skuadra e drejtuar nga Jeton Beqiri do të udhëtojë drejt Antalias, ku deri më 1 shkurt do të zhvillojë fazën kryesore të përgatitjeve.
Gjatë qëndrimit në Turqi, kuqezinjtë do të matin forcat me kundërshtarë të fortë ndërkombëtarë, në katër ndeshje kontrolluese që pritet të shërbejnë si teste serioze para rifillimit të kampionatit.
Programi i ndeshjeve në Antalia:
– 20 janar: FC Oleksandrya (Ukrainë)
– 24 janar: FK Podbrezova (Sllovaki)
– 28 janar: FK Sarajeva (Bosnje dhe Hercegovinë)
– 1 shkurt: FC Ordabasy (Kazakistan)
Përmes këtyre përballjeve, stafi teknik synon të rrisë nivelin fizik dhe taktik të skuadrës si dhe të testojë alternativat dhe skemat e lojës, në funksion të objektivave për vazhdimin e sezonit garues. /Telegrafi/


