Please enter at least 3 characters.

Shaip Kamberi për gazetën gjermane: “Demokratizimi i Serbisë nuk mund të bazohet në riprodhimin e modeleve të vjetra nacionaliste”

Në një artikull mbi zhvillimet në Serbi, gazeta e mirënjohur gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” (FAZ) thekson se një pjesë e lëvizjes protestuese studentore karakterizohet nga një ton nacionalist. Së fundmi, kjo u bë e qartë përmes miratimit të një „memorandumi“ studentor, i cili në një gjuhë konfuze ideologjike përsërit narrativat nacionaliste serbe për Kosovën dhe në thelb kërkon që shteti tashmë i pavarur të rikthehet si provincë nën sovranitetin e Beogradit.

Një politikan që e refuzon këtë është Shaip Kamberi, i vetmi deputet shqiptar në parlamentin serb, shkruan “Frankfurter Allgemeine Zeitung”. Kamberi vjen nga Lugina e Preshevës, e cila kufizohet me Kosovën në jugperëndim të Serbisë. Në luginë ka një shumicë të popullsisë shqiptare. Krejt në jug, rreth qytetit kufitar të Preshevës, shqiptarët përbëjnë më shumë se 90 për qind të popullsisë. Prandaj, nuk është çudi që Kamberi i sheh ngjarjet nga një perspektivë shqiptare.

Megjithëse ai nuk e refuzon në parim lëvizjen protestuese studentore, raporton “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, ai patjetër që refuzon „memorandumin e tyre për Kosovën“ dhe dukuritë e ngjashme shoqëruese nacionaliste: „Demokratizimi i Serbisë nuk mund të bazohet në riprodhimin e modeleve të vjetra nacionaliste - madje as atëherë kur ato vijnë të ambalazhuara me një paketim të ri politik“, thotë ai. Ai thotë se e kupton argumentin pragmatik se është e nevojshme të zëvendësohet „regjimi autoritar i Aleksandar Vuçiqit“, por përvoja nga historia e re serbe ka treguar „se kompromiset me nacionalizmin prodhojnë në aspektin afatgjatë kriza të reja, padrejtësi të reja dhe paqëndrueshmëri të re“.

Me këtë ai aludon për vitet nëntëdhjetë dhe fillimin e viteve dymijë. Në shtator të vitit 2000, opozita e bashkuar serbe kishte arritur të mposhtte në zgjedhje sundimtarin e dhunshëm Sllobodan Millosheviq (ministër i propagandës së të cilit në atë kohë ishte presidenti i tanishëm Aleksandr Vuçiq). Pasi Millosheviqi nuk deshi t’i pranonte rezultatet, ai u rrëzua në një kryengritje popullore në tetor të po atij viti. Por çmimi për ndryshimin e pushtetit ishte i lartë. Në zgjedhje, opozita pro-evropiane kishte bërë një aleancë pragmatike me nacionalistin serb Vojisllav Koshtunica, i cili në vitet në vijim, si president jugosllav dhe më vonë si kryeministër serb, e largoi Serbinë nga BE-ja dhe e afroi me Rusinë.

Kamberi nuk dëshiron që zhvillime të tilla të përsëriten me lëvizjen studentore. „Një Serbi demokratike duhet të bazohet në vlerat qytetare, në ballafaqimin me të kaluarën dhe në barazinë e të gjithë popujve“, thotë ai. Natyrisht, lëvizja studentore nuk është homogjene dhe do të ishte gabim që të gjithë studentët të cilësoheshin si nacionalistë. „Megjithëse, problemi lind kur simbolet, mesazhet ose dokumentet dominuese lënë përshtypjen e një vazhdimësie me narrativat e vjetra kombëtare që e çuan rajonin në konflikte.“ Atëherë nuk është çudi që te pakicat në Serbi të lindë shqetësimi „se në thelb asgjë nuk po ndryshon realisht“.

Mbështetësit e studentëve argumentojnë se këmbëngulja e tyre për kthimin e Kosovës në shtetin serb nënkupton vetëm respektim të kushtetutës serbe. Kjo është formalisht e saktë, nënvizon gazeta gjermane. Si kryeministër, Koshtunica inicioi në tetor të vitit 2006 një referendum të suksesshëm, si pasojë e të cilit Kosova që prej asaj kohe renditet si pjesë e pandashme e Serbisë në preambulën e kushtetutës serbe.

Thirrja në kushtetutë në vetvete nuk është problematike, thotë Kamberi në këtë analizë të publikuar nga “Frankfurter Allgemeine Zeitung”. Por problemi lind kur njeriu thirret në kushtetutë „pa u ballafaquar me realitetin në terren dhe pa e kuptuar kontekstin historik. Kosova sot funksionon si shtet i pavarur, i njohur nga shumica e botës demokratike.“ Përballë këtyre fakteve, ai vlerëson se këmbëngulja në formulime juridiko-kushtetuese e mban shoqërinë serbe „në një konflikt të përhershëm me realitetin“. Pretendimi se ekziston një „çështje e hapur e Kosovës“ për sa i përket statusit, flet „më shumë për dilemën e brendshme politike të Serbisë sesa për Kosovën.“ Sepse iluzioni se proceset historike mund të kthehen mbrapsht nuk i shërben as Serbisë dhe as rajonit.

Një argument tjetër që sjellin mbështetësit ose mbrojtësit e studentëve kryengritës është i natyrës pragmatike: Serbia, sipas tyre, është një vend ku pa një dozë të fortë nacionalizmi nuk mund të fitohen zgjedhjet. Lëvizja studentore po i përshtatet këtij realiteti. Kamberi e hedh poshtë edhe këtë argument: „Pretendimi se pa nacionalizëm nuk mund të fitohen zgjedhjet në Serbi flet për thellësinë e problemit në shoqërinë serbe. Nëse pranohet logjika se nacionalizmi është një mjet i domosdoshëm politik, hapësira për një demokratizim të vërtetë mbyllet. Megjithatë, udhëheqja politike duhet të ndryshojë vetëdijen shoqërore - dhe jo t'i përshtatet asaj në mënyrë oportuniste.“

Nuk mjafton vetëm mposhtja e Vuçiqit, thotë Kamberi. Serbia ka nevojë për një shkëputje nga politika që e solli vendin në gjendjen aktuale politike. Prandaj, lëvizja protestuese serbe ndodhet përpara një vendimi historik: „A dëshiron ajo vetëm një ndryshim pushteti apo një ndryshim të vërtetë të Serbisë?“ Kamberi sheh një domosdoshmëri për të bërë një „shkëputje të qartë“ me ideologjitë „që kanë prodhuar lufta, konflikte etnike dhe diskriminim sistemik. Kjo parashikon një ballafaqim me të kaluarën.“ Por këtë ai nuk mund ta dallojë në masë të mjaftueshme tek studentët.

Në fakt, siç nënvizohet në artikullin e Frankfurter Allgemeine Zeitung, shumë pak nga studentët serbë që brohorasin me të madhe për përkatësinë e Kosovës në Serbi kanë shkelur ndonjëherë në tokën e Kosovës. Ata nuk e njohin Kosovën, as nuk njohin ndonjë shqiptar të Kosovës. Edhe më e pakët është njohuria e tyre për krimet që u kryen ndaj shqiptarëve të Kosovës nga gjenerata e baballarëve të studentëve të sotëm serbë. Një shembull është masakra e Mejes dhe Korenicës në prill të vitit 1999. Në këto dy fshatra të Kosovës, trupat serbe, në shenjë hakmarrjeje për katër pjesëtarë të policisë serbe të vrarë më parë, pushkatuan rreth 350 burra shqiptarë. Por kushdo që pyet të rinjtë serbë për këtë, si reagim më së shumti do të marrë vetëm një rrudhje supesh. Meja dhe Korenica? Kurrë nuk kanë dëgjuar për to. Ngjashëm ndodh edhe me krimet e tjera serbe të luftës në Kosovë.

Një mosdije e tillë ose mosdëshirë për të ditur kontribuon gjithashtu që protestat studentore të kryeqytetit të ndiqen me një interes të vakët në zonat kufitare të banuara me shqiptarë në Serbinë jugperëndimore. Shqiptarët në Luginën e Preshevës vështirë se i kanë gjetur shqetësimet e tyre politike dhe shoqërore në mesazhet dominuese të protestave, përshkruan Kamberi disponimin në rajonin e tij të lindjes. „Arsyeja për këtë është ndjenja se çështjet e të drejtave të pakicave, të diskriminimit dhe të pabarazisë nuk janë sa duhet të pranishme në agjendën e lëvizjes studentore.“ Prandaj, shqiptarët e Serbisë as nuk morën pjesë në protesta.