Please enter at least 3 characters.

Sfidë apo problem?

Historikisht çështja “aftësi e kufizuar” është kanalizuar si model i aspektit social dhe atij të mirëqenies duke mos përjashtuar edhe modelin mjekësor. Portretizimi i aftësisë së kufizuar në aktualitetin e ri flet për një frymë të re pozitive, krijimin e mundësive të reja bashkëpunimit për një shoqëri integruese.

Edhe pse e kaluara la paragjykime dhe barriera të mëdha drejt integrimit të personave me aftësi të kufizuar në shoqëri, megjithatë shoqëria civile, institucionet e vendit dhe vetë personat me aftësi të kufizuar krijuan rreth vetes mekanizma dhe metoda avokuese për të kuptuar drejt të qenurit person me aftësi të kufizuar.

Të qenurit person me aftësi të kufizuar, sot nuk do të thotë të jesh i padobishëm për shoqëri, jo rastësisht ka qenë kjo pjesa më e dhimbshme e krijuar në vend deri me tani, që ka pamundësuar krijimin e kushteve dhe realizimin e kërkesave për të qenë të barabartë në shoqëri.

Po ti kthehemi historisë se hershme - ne jemi duke krijuar apo dizajnuar shoqërinë në atë mënyrë sikur të mos ekzistonin personat me aftësi të kufizuar. Ky iluzion apo kjo ide e gabuar mbi natyrën e njeriut, kjo paaftësi e marrjes në konsideratë të nevojave të të gjithë qytetarëve në zhvillimin e shoqërisë, është shkaku kryesor për izolim dhe përjashtim të personave me aftësi të kufizuar.

Barra kryesore të kësaj pozite të krijuar, pas luftës së fundit në Kosovë për çështjen e aftësisë së kufizuar e morën vetë ata për të lobuar, mbrojtur interesat dhe thyerjen e barrierave të krijuar në shoqëri.

Handikosi si organizata me një mbulushmeri të madhe të aktivitete të personave me aftësi të kufizuar në Kosovë, më konkretisht në vitin 2000 bëri hartimin e Kornizës Gjithëpërfshirëse për persona me aftësi të kufizuar, duke u bazuar në rregullat standarde të Kombeve të Bashkuara për mundësi të barabarta për persona me aftësi të kufizuar.
Objektivi i kësaj kornize ishte shoqëri gjithëpërfshirës, në njohje të plotë të të drejtave dhe mundësive të barabarta të pakta në Kosovë.

Në Kosovë nga kjo kohë dhe tutje vazhdon të ketë mungesë serioze të informimit dhe statistikave të përafërta të shtrirjes së aftësisë së kufizuar, dhe përjashtimin të cilin e kanë përjetuar personat me aftësi të kufizuar dhe familjarët e tyre është rezultat i një serë faktorësh: jobarazia ekonomike, pikëpamjet e shoqërisë të krijuara stereotipe si persona të varur dhe që kanë nevojë për përkujdesje dhe mosvlerësimi i tyre si burim i shoqërisë, infrastruktura ligjore joadekuate e cila ka sanksionuar dhe ka përforcuar pengesat përjashtuese në profile të ndryshme si punësim, shkollim etj…

Kur flasim për aftësinë e kufizuar vlen të theksohet se lloje të aftësisë së kufizuar janë vlerësuar: paaftësi fizike, paaftësi shqisore, mendore, të shumëllojshme, problem në të folur, komunikim, në gjuhë dhe problem matematikore. Dhe kjo shtyn që të ekzistojë sot një numër i organizatave joqeveritare që të profilizohen dhe të mbrojnë interesat dhe kërkesat e tyre.

Në vitin 2006 Qeveria e Kosovës dhe këto organizata formojnë Këshillin Nacional të Personave me aftësi të kufizuar, me qëllim të krijimit të mundësive të barabarta, përmirësimin e kushteve për përsona me aftësi të kufizuar në fushën e arsimit, punësimit, shërbimeve ndihmëse dhe jetën pa pengesa. Përbërja e këtij këshilli ishte në nivel zv. ministrash dhe përfaqësues të komunitetit te përsonave me aftësi të kufizuar dhe shoqërisë civile. Ku me këtë rast ky këshill ka mandate të marr vetë iniciativa dhe ti rekomandojë Qeverisë hartimin e ligjeve përkatëse dhe harmonizimin e legjislacionit në Kosovë, në sferën e aftësisë së kufizuar.

Pas kësaj kohe tash së fundit 2009, është finalizuar Plani Kombëtar i veprimit për personat me aftësi të kufizuar 2009-2011, që edhe ky ka për qëllim të përmirësojë cilësinë e jetesës së PAK dhe po ashtu përmbushjen e obligimeve shtetërore që Kosova ka në respektimin e Konventës Ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, për të drejtat e personave me aftësi të kufizuar që janë në mesin e parakushteve që Kosova të lëvizë përpara në procesin e integrimit evropian.

Një mori aktivitetesh prej kohesh, krijimit të një infrastrukture ligjore, plane kombëtare e lokale veprimi, sa janë funksionale në përmbushjen e kërkesave të personave me aftësi të kufizuar? Sa ka ndryshim sa ka lëvizur kjo pozitë apo edhe sa kohë do marrë ky ndryshim i bazuar në këto dokumente?

Po të shikohet lloj i aftësisë së kufizuar shqisore apo personi i verbër se sa është i mbrojtur nga ligjet aktual realiteti flet ndryshe, në fushën e mbrojtjes sociale aftësia e kufizuar është e mbrojtur me ligjin mbi pensionet e aftësi së kufizuar 2003/23, por ky ligj në asnjë forme nuk i përmbush nevojat e personave të verbër, sepse në bazë të këtij ligji të verbrit nuk e gëzojnë të drejtën e pensionit sepse personi i verbëri duhet të ketë edhe një paaftësi tjetër fizike apo psikike.

Njashtu nëse i referohemi ligjit për arsimin fillor dhe të mesëm e më konkretisht neni 40 paragrafi 3 dhe 4 nga këto paragrafe del se shërbimet këshillimore dhe shëndetësore në Komune nuk ekzistojnë. Në Kosovë ekziston vetëm një institucion i arsimit fillor dhe të mesëm në Pejë, ku aktualisht në këtë institucion është i përfshirë një numër i vogël i personave të verbër.

Çështja e aftësisë së kufizuar në Kosovë si sfidë mund të gjykohet e diskutohet, po jo të anashkalohen edhe problemet. Megjithatë shpresojmë që aftësia e kufizuar të kuptohet drejtë dhe të trajtohet pjesë e barabartë e shoqërisë.

(Autorja është koordinatore e Hendikep Kosova)