Please enter at least 3 characters.

Sekuestrohen 14 motoçikleta nga Policia në Pejë

Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë, përmes Stacionit Policor Pejë, ka hartuar dhe është duke zbatuar planin operativ “Motoçikletat 2025”, i cili ka hyrë në fuqi më 20.05.2025 dhe po realizohet në qytetin e Pejës.

Në kuadër të këtij plani, që do të vazhdojë edhe në ditët në vijim, janë angazhuar zyrtarë policorë nga Stacioni Policor Pejë dhe Njësia Rajonale e Komunikacionit Rrugor në kuadër të DRP Pejë.

Si rezultat i zbatimit të planit, janë sekuestruar katërmbëdhjetë (14) motoçikleta të llojeve të ndryshme, ndërsa ndaj kundërvajtësve janë shqiptuar masa për shkelje të ndryshme, si:

Mosposedimi i lejes së vozitjes,

Mosposedimi i kategorisë përkatëse,

Ngasje e mjetit pa regjistrim,

Dhe shkelje të tjera të rregullave të komunikacionit.

Në total janë shqiptuar dyzetë (40) gjoba ndaj kundërvajtësve.

Policia e Kosovës, përmes Drejtorisë Rajonale në Pejë, do të vazhdojë me aktivitete dhe detyra të shumta policore, duke zbatuar planet e parapara në mënyrë të intensifikuar dhe pa tolerim ndaj secilit kundërvajtës. Kjo bëhet me qëllim të rritjes së sigurisë në komunikacion dhe parandalimit të aksidenteve.

Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë u bën apel të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion, në veçanti ngasësve të motoçikletave, që të respektojnë rregullat e komunikacionit dhe të kontribuojnë për siguri të përgjithshme në rrugët tona./Telegrafi/