“Rruga e Tretë”
“Kriza nis me një bufon të arsimuar, civil apo ushtarak, i cili merr pushtetin dhe kujdeset ta rrethojë veten me llogore. I vë nën kontroll institucionet kyce të shtetit – forcat e sigurisë, drejtësinë, median, sistemin bankar – me anëtarë të grupit politik të cilit i takon. Me kalimin e kohës, ‘qeveria’ pushon së ekzistuari, rrëmbehet nga banditë të paskrupullt që e përdorin makinerinë e shtetit për t’i vënë pasuritë e vendit në shërbim të vetes dhe për të përjashtuar këdo tjetër. Eventualisht, metastazat e shtetit vampir kapërthejnë republikën. Shteti ligjor është farsë. Trazirat fillojnë kur një grup politik i përjashtuar, të cilit i ka ardhur në majë të hundës status-quo-ja i vihet organizimit të një përmbysje. E gjitha çfarë duan është pushteti dhe kapardisja në kryeqytet. Prijësit rebelë, kur arrijnë të marrin pushtetin ua kalojnë në mizori despotëve që zëvendësuan. Cikli fillon sërish.”
Përshkrimi i mësipërm bëhet nga revista prestigjoze, Foreign Policy. Për Afrikën! Dhe që, fatkeqësisht, ngjan kaq shumë me realitetin tonë. Një republikë bananesh, apo kokosi. Ku raportet qeverisës-të qeverisur janë përjashtuese e jo përfshirëse. Ku lufta për pushtet është e pamëshirshme dhe jo-etike. Ku keq-qeverisja është cilësori më i butë që mund t’i jepet qeverisjes. Polarizimet politike janë bërë publike, jo vetëm mes dy partive të dala nga lufta por tanimë, - siç duket qartazi nga gara për Prishtinën, - edhe mes anëtareve të koalicionit. Një frymë e tillë është penguese. Ne na duhet zhvillim, e ai nuk realizohet përmes politikave dritëshkurtra. Ne na duhet paqe sociale, e ajo nuk vjen nga konfrontimet. Politika sot është një arenë ku zhvillohen debate e merren vendime mediokre.
Ndaj, në AKR besojmë fuqishëm se ka ardhur koha e teknokratëve. E njerëzve profesionistë që dinë të japin dhe implementojnë zgjidhje. Dhe që e humanizojnë politikën. Nëse asgjë nuk do t’ia njihnim për meritë pozitivizmit, duhet të huazojmë prej tij shpresën në klasën e teknokratëve. Menaxherë dhe ekspertë – kjo është cfarë na duhet në këtë fazë të re të shtet-ndërtimit të Kosovës. Kjo është cka propozon AKR: një klasë e re politikanësh, të pa kapur nga interesat e grupeve të dyshimtë, të paprekur nga klishetë dhe hipokrizia e pushtetarëve të deritashëm, pa bagazh negativ. Të gjithë kanë disa tipare të përbashkëta: profesionistë në fushat e tyre dhe menaxherë të suksesshëm. Të cilët nuk vazhdojnë në ujërat e mykur të politikës së vjetër, por kanë energjinë dhe aftësinë për të sjellë ndryshime të guximshme dhe të nevojshme.
AKR, Aleanca Kosova e Re, vjen në skenë si një forcë politike, një alternativë e re për problemet e vjetra të Kosovës. Filozofia jonë, në fjalët e presidentit, z.Behgjet Pacolli, është Rruga e Tretë. Ajo që, duke respektuar idetë dhe veprën e z.Rugova si dhe kontributin e jashtëzakonshëm të UÇK-së për lirinë që gëzojmë sot, nuk është mohim i dy të parave, por sintetizim i tyre në një formë më të lartë.
AKR është e hapur për bashkëpunim vetëm me ato parti që punojnë për interesat e Kosovës, sepse jemi të vetëdijshëm që energjitë duhet të vihen në përdorim të ndërtimit të Kosovës, e jo rrënimit të kundërshtarëve politikë. Ne duhet të jetë të hapur për bashkëpunim me këdo që ndan të njëjtat parime me ne, dhe që zotohet të respektojë programin AKR së, i cili është i vetmi dhe më i miri për zhvillimin e Kosovës.
(Autori është studiues i Politikave Publike)


