Rrëzohet një aeroplan në Kolumbi, humbin jetën 15 persona
Një aeroplan me 15 persona në bord, përfshirë një ligjvënës kolumbian, u rrëzua në një rajon malor pranë kufirit me Venezuelën, duke vrarë të gjithë pasagjerët dhe ekuipazhin në bord, sipas autoriteteve në Bogota.
Aeroplani, i operuar nga Satena, linja ajrore shtetërore, u ngrit nga qyteti kufitar kolumbian i Cucutas dhe ishte në rrugë për në Ocana.
Presidenca e Kolumbisë tha në një deklaratë se kontakti me aeroplanin u humb menjëherë pas ngritjes.
Sipas kompanisë ajrore, në aeroplan ndodheshin dy anëtarë të ekuipazhit dhe 13 pasagjerë, përfshirë ligjvënësin kolumbian, Diogenes Quintero, anëtar i Dhomës së Përfaqësuesve për Catatumbon.
Një ekip shpëtimi u dërgua në vendin e rrëzimit për të "vlerësuar gjendjen e pasagjerëve".
Megjithatë, Ministria e Transportit e Kolumbisë lëshoi më vonë një deklaratë duke thënë se "pasi aeroplani u gjet në vendngjarje, autoritetet me keqardhje konfirmuan se nuk kishte të mbijetuar".
Zyrtarët nuk mundën të përcaktonin shkakun e rrëzimit, por thanë se do të kishte një hetim. /Telegrafi/


