Rrënohen pesë objekte pa leje në pronë publike pranë Liqenit të Radoniqit
Pesë objekte të ndërtuara pa leje në pronë publike, në afërsi të Liqenit të Radoniqit në Gjakovë, janë rrënuar sot nga Inspektorati Mjedisor.
Lajmin e ka bërë të ditur ministrja në detyrë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli-Dalipi, përmes një postimi në Facebook.
“Pesë objekte të ndërtuara pa leje në pronë publike te Liqeni i Radoniqit janë rrënuar sot nga Inspektorati Mjedisor”, ka shkruar Pacolli-Dalipi.
Ajo ka thënë se institucionet do të vazhdojnë me aksione të ngjashme për mbrojtjen e pronës publike dhe hapësirave natyrore.
“Do të vazhdojmë me aksione të tilla për të vendosur ligjshmëri në çdo cep të Kosovës, duke mbrojtur pronat ujore, burimet e ujit të pijshëm dhe natyrën e bukur të Kosovës”, ka deklaruar ajo.
Pacolli-Dalipi ka theksuar rëndësinë e mbrojtjes së burimeve ujore, duke e cilësuar ujin si një pasuri që duhet të ruhet për qytetarët dhe gjeneratat e ardhshme.
“Uji është pasuri që duhet ta mbrojmë për qytetarët dhe gjeneratat e ardhshme”, ka shkruar ministrja në detyrë. /Telegrafi/


