Roja i një firme private në Graçanicë lidhet me rrip gjatë një grabitje të armatosur – vidhen mijëra euro
Një grabitje e armatosur ka ndodhur rreth orës 00:30 të mëngjesit në fshatin Dobratin të komunës së Graçanicës.
Sipas informatave të konfirmuara nga Policia e Kosovës, viktima mashkull kosovar që punonte si roje në një firmë private ka raportuar se është sulmuar nga dy persona të panjohur dhe të maskuar.
Njëri prej të dyshuarve, i armatosur me pistoletë e ka kërcënuar dhe më pas e ka lidhur me një rrip lëkure.
Më pas, ata i kanë marrë kuletën në të cilën ndodheshin dokumente personale dhe rreth 200 euro para të gatshme.
Të dyshuarit kanë vazhduar aksionin duke hapur me forcë një dhomë tjetër të objektit, nga e cila kanë marrë rreth 2500 euro që ndodheshin në një dollap.
Pas grabitjes, ata janë larguar nga vendi i ngjarjes në drejtim të panjohur.
Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rastit dhe identifikimin e autorëve të përfshirë në këtë vepër penale. /Telegrafi/


