Rikthimi i Coutinhos, braziliani shkëlqeu me het-trik dhe dy asistime ndaj Werder Bremenit
Philippe Coutinho ka filluar shkëlqimin e tij në ndeshjet e fundit me Bayern Munichun.
Ylli brazilian u transferua në verë te Bayerni nga Barcelona në formë huazimi me mundësi blerje në fundit të sezonit.
Transferimi i tij bëri bujë të madhe, por Coutinho nuk arriti ta tregojë gjithë potencialin e tij në ndeshjet e tij të para me Bavarezët.
Por, shkëlqimi i tij tashmë ka arritur me fanellën e klubit më të madh gjerman, i cili ka qenë i papërmbajtshëm në takimet e fundit.
Treguesi kryesor i formës së tij të lartë është ndeshje e sotme (e shtunë) ndaj Werder Bremenit, ku braziliani shënoi het-trik në fitoren 6-1.
Coutinho gjeti golin e parë në minutën e 45-të për barazimin 1-1, ndërsa në pjesën e dytë shënoi dy superogla, në minutën e 63-të për 3-1 dhe për rezultatin përfundimtar 6-1 në minutën e 78-të.
Ish-ylli i Interit dhe Liverpoolit gjithashtu asistoi tek goli i Robert Lewandowskit (45+) për 2-1 dhe tek goli i Thomas Muller (75') për 5-1.
Në 13 ndeshje në Bundesliga, Coutinho ka shënuar gjashtë gola dhe ka shtuar pesë asistime.
Ndërsa, në 20 ndeshje në të gjitha garat, braziliani ka shtatë gola dhe shtatë asistime. /Telegrafi/


