Republika e Promajës*
Fort joseriozë, madje edhe qesharakë tingëllojnë liderët kosovarë kur flasin për Kosovën shtet sovran e me kufij të garantuar. E neve na mbyti promaja - jo vetëm nga veriu
Barsoleta thotë se armiku më i madh i shqiptarëve, pas Serbisë, është promaja. Aq shumë ia kanë frikën, sa që nuk mund të rrinë pa e përmendur të paktën njëherë në ditë, në momentet kur iu shkon mendja te shëndeti. “Me të kapë promaja” nuk është hiç mirë, e kur një shtet i tërë është në shënjestër të saj, është edhe më keq.
Kosova sot mund të quhet “republikë e promajës”. Në veri kufiri me Serbinë thuajse nuk ekziston. Nëse niseni, ta zëmë, me autobus nga Beogradi për në Prishtinë, mos u çuditni që se pas një gjumi “për gazep” keni mbërritur në kryeqytetin kosovar pa e hetuar. Vetëm atëherë do ta kuptoni se askush nuk ju ka ndalur askund, askush nuk ju ka kërkuar kurrfarë dokumenti dhe as që ju ka pyetur ku n’dreq po shkoni! Thjesht, kufiri nuk ekziston - edhe pse liderët kosovarë ju kanë thënë se Kosova është shtet, ka kufij të garantuar e sovranitet.
Se çfarë sovraniteti ka Kosova më së miri e tregon fakti se një pjesë e madhe e territorit të saj nuk kontrollohet fare nga institucionet legale, pjesë të tëra të saj janë “non grata” për shqiptarët, kurse për shumë çështje liderët që flasin si përçart nuk i pyet kush “as kur është Bajram”.
Se çfarë sovraniteti ka, sa e sigurt për lëvizje të lirë është Kosova dhe si zbatohet kushtetuta më së miri e tregoi vizita e presidentit Fatmir Sejdiu në fshatrat Koshtovë, Cerajë dhe Bistricë të komunës së Leposaviqit. Ai atje udhëtoi me helikopter dhe para fshatarëve që çojnë jetë të vështirë dhe të cilët promaja “i rrokë” çdo ditë, përmendi tërësinë dhe integritetin e paprekshëm territorial të shtetit. “Siguria juaj është e plotë sikur është siguria e Kosovës”, iu tha ai banorëve të atjeshëm. Sa “siguri të plotë” kanë ata dëshmon fakti se dita-ditës po shpërngulen nga vatrat e tyre, e se çfarë sigurie të plotë ka Kosova, më së miri e tregon udhëtimi me helikopter i presidentit. Demagogjia nuk ka kufij.
* * *
Ndërkohë, është e njohur deklarata e kryeministrit Hashim Thaçi se
kufijtë e Republikës së Kosovës janë më të sigurtit dhe më të mbrojturit në gjithë rajonin. Për cilët kufij flet ai? A është kufiri në veri kufi i Kosovës apo ende duhet besuar dokrrave që iu servohen çdo ditë qytetarëve?
Zoti kryeministër, promaja na mbyti. Para pak ditësh, ajo përfshiu edhe pjesën qendrore dhe perëndimore të Kosovës. Në Graçanicë e Gorazhdevc serbët votuan avash-avash për institucionet lokale të varura nga Beogradi. Në zgjedhjet serbe që ishin mbajtur në Kosovë pak ditë para shpalljes së pavarësisë, Thaçi pat deklaruar se ato ishin zgjedhjet e fundit serbe në Kosovë. Që atëherë, pa kurrfarë pengese, Beogradi ka organizuar zgjedhje në “shtetin sovran” edhe herë të tjera. Me deklarata boshe jemi mësuar, ashtu si dhe me promajën.
* * *
Shumë pluhur u çua ditët e fundit rreth paralajmërimit për nënshkrimin e protokollit ndërmjet EULEX-it dhe Ministrisë së Brendshme të Serbisë. Pamë në televizor e lexuam në gazeta deklarata ultrapatriotike të qeveritarëve, për të cilët ky protokoll qenka i papranueshëm. Shih ti! Thua se po i pyet kush a po e pranojnë. Në bazë të kompetencave që ka, EULEX mund të nënshkruajë pa pikë problemi protokolle të tilla. Tekefundit, për EULEX-in Kosova ende nuk është shtet. Edhe pse të vetëdishëm për pafuqinë e tyre që të veprojnë si duhet, liderët kosovarë “thurën vargje” kundër çfarëdo marrëveshje që bëhet pa institucionet e Kosovës - pikërisht pa ato institucione që nuk kanë fuqi e integritet për ta shtrirë pushtetin në të gjithë vendin. Kinseinstitucone.
Protokolli EULEX-Beograd ka të bëjë me bashkëpunimin policor dhe këmbimin e informatave me qëllim të luftës kundër krimit të organizuar dhe atij ndërkufitar. Mbase me të do të mund të ndalet pak edhe promaja nga veriu. Ose mbase liderët kosovarë do të pranojnë se, në fakt, nuk e udhëheqin një shtet, por një kinseshtet.
*Promaja, serbisht: rrymim ajri
(Editorial i gazetës “Profil”)


