Rëndohet kriza te KB Peja, diskualifikohet dhe gjobitet nga ENBL
Humbjet duket se nuk janë problemi i vetëm për KB Pejën, që tashmë janë diskualifikuar dhe gjobitur nga European North Basketball League (ENBL).
ENBL përmes një komunikate zyrtare ka informuar Pejën dhe të gjithë tifozët se klubi kosovar nuk mund ta zhvillojë ndeshjen si vendas ndaj BK Olomoucko.
Para kësaj, Peja e kishte pranuar një humbje në tavolinë pasi nuk u paraqiten në Çeki, më 13 janar. Kësisoj, ENBL ka vendosur t’ua anulojë edhe ndeshjen ndaj Newcastle Eagles, si dhe t’i gjobisë me 25 mijë euro.
Komunikata e plotë pa ndërhyrje:
“GO+ Peja nuk do të vazhdojë më pjesëmarrjen në European North Basketball League (ENBL), pasi klubi ka refuzuar të zhvillojë ndeshjen si vendas ndaj BK Olomoucko, e cila ishte e planifikuar për të hënën, më 26 janar.
Ky vendim vjen pas një periudhe shumë të vështirë për klubin pejan. Të enjten, më 22 janar, GO+ Peja u eliminua nga Kupa e Kosovës, pasi u mposht në çerekfinale nga Bashkimi i Prizrenit. Pas kësaj humbjeje, situata u tensionua edhe më shumë, teksa tifozët hodhën bomba tymuese në parket, duke rrezikuar sigurinë e lojtarëve dhe duke drejtuar akuza të ashpra ndaj drejtuesve të klubit.
Të premten, më 23 janar, GO+ Peja e njoftoi zyrtarisht ENBL-në për anulimin e ndeshjes si vendas ndaj BK Olomoucko. Kujtojmë se më herët, liga i kishte dhënë Pejës një humbje administrative (dorëzim), pasi skuadra nuk ishte paraqitur në ndeshjen e sezonit të rregullt ndaj të njëjtit kundërshtar, e zhvilluar më 13 janar në Prostejov të Çekisë.
Mungesa e dytë në një ndeshje çon automatikisht në një tjetër humbje administrative, duke e bërë të pamundur vazhdimin e garës në fazën e grupeve. Si pasojë, u anulua edhe ndeshja e planifikuar ndaj Newcastle Eagles më 11 shkurt. Sipas praktikës standarde, dy humbje administrative nënkuptojnë skualifikim automatik dhe anulim të të gjitha rezultateve të ekipit.
Megjithatë, drejtuesit e ENBL-së kanë vlerësuar se anulimi i të gjitha rezultateve të GO+ Pejës është i pamundur për shkak të formatit unik të sezonit 2025/26, pasi një veprim i tillë do t’i vinte ekipet e Grupit Tre në disavantazh krahasuar me ato të Grupeve Një dhe Dy.
Për të mbrojtur integritetin dhe vazhdimësinë e garës, ENBL ka marrë përgjegjësinë e plotë dhe ka vendosur:
T’i japë GO+ Pejës humbje administrative për anulimin e ndeshjes ndaj BK Olomoucko,
Të anulojë ndeshjen mes GO+ Pejës dhe Newcastle Eagles, pasi ekipi pejan ka marrë dy humbje administrative,
T’i aplikojë GO+ Pejës një humbje të tretë administrative, për shkak të pamundësisë për të organizuar ndeshjen si vendas ndaj Newcastle Eagles, sipas rregullave zyrtare të basketbollit,
T’i shqiptojë klubit një gjobë prej 25 mijë eurosh,
Të shqyrtojë masa të tjera ndëshkuese, përfshirë edhe ndalimin e rikthimit të GO+ Pejës në këtë garë në të ardhmen.
Si rezultat i këtyre vendimeve, GO+ Peja e mbyll aventurën në ENBL me bilanc 1 fitore dhe 7 humbje, duke grumbulluar gjashtë pikë nga nëntë të mundshme. BK Olomoucko ka bilanc 4-2 dhe dhjetë pikë, ndërsa Newcastle Eagles 1-5 me shtatë pikë”, thuhet në komunikatë./Telegrafi


