Please enter at least 3 characters.

Ramush Haradinaj publikon videon e para shumë viteve, ku Adriana Matoshi dhe plot yje të tjerë të estradës kërkonin drejtësi për të

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka publikuar sot në llogarinë e tij zyrtare në Facebook një video arkivore, të realizuar shumë vite më parë nga regjisori Blerim Gjoci – një material që aso kohe kishte shërbyer si kampanjë sensibilizuese në mbështetje të Haradinajt, i cili po përballej me gjykim në Hagë.

Videoja përmbledhëse, e cila u shpërnda gjerësisht në atë periudhë, kishte mbledhur rreth vetes disa nga artistët më të njohur të estradës shqiptare. Mes tyre shihen emra të tillë si Dafina Zeqiri, Getoar Selimi, Tuna, Vesa Luma, Jehona Sopi, Ramadan Krasniqi, Labinot Tahiri, Shpat Kasapi e shumë të tjerë. Të gjithë ata, në një zë, i thoshin “Jo” padrejtësisë, duke kërkuar lirinë dhe drejtësinë për Haradinajn.

Ajo që e bën edhe më domethënëse rikthimin e kësaj videoje është fakti se pjesë e saj është edhe aktorja Adriana Matoshi, e cila sot është kolege e Haradinajt në Kuvendin e Kosovës, ku shërben si deputete e Lëvizjes Vetëvendosje për mandatin e dytë. Aso kohe artiste që ngrinte zërin për drejtësi – sot ligjvënëse që punon brenda institucioneve.

Në mesin e artistëve që shprehnin mbështetjen e hapur ishte edhe i ndjeri Shpat Kasapi, i cili u nda nga jeta tri ditë më parë. Siç duket, pikërisht humbja e këngëtarit ka qenë një nga arsyet që e ka shtyrë Haradinajn ta rikthejë këtë video pas shumë vitesh, si një formë nderimi dhe rikujtimi për kontributin e tij.

Në shoqërim të videos, Haradinaj ka shkruar: “Populli shqiptar, të gjitha shtresat e tij pa dallim, besuan! Mirënjohje e përjetshme të gjithë atyre që ngritën zërin dhe i thanë JO padrejtësisë. I mbaj në kujtesë e zemër njerëzit e vullnetit të mirë që përmes kampanjave të ndryshme u bashkuan rreth kauzës për dritë, drejtësi e liri”.

Pamjet historike përfshijnë edhe fytyra të tjera të njohura të artit e politikës së sotme. Në video shfaqet këngëtari dhe ish-deputeti i AKR-së, Labinot Tahiri, si dhe këngëtarja Adelina Thaçi, e cila së fundi është bashkuar me radhët e LDK-së.

Rikthimi i kësaj videoje ka ngjallur emocione të forta në publik, duke kujtuar një periudhë të tensionuar të historisë së re të Kosovës – por edhe momentet e unitetit të rrallë mes artistëve dhe qytetarëve në kërkim të drejtësisë. /Telegrafi/