Qeveria thotë se cunami i Tongas ka shkaktuar 'katastrofë të paprecedentë'
Tonga thotë se është goditur nga një "katastrofë e paprecedentë", në deklarimin e parë të qeverisë që kur një shpërthim vullkanik shkaktoi një cunami.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, në një deklaratë, qeveria konfirmoi tri vdekje: dy vendas dhe një shtetas britanik.
Ajo tha se disa nga ishujt më të vegjël, periferikë ishin veçanërisht të prekur keq, me të gjitha shtëpitë e shkatërruara në njërin dhe vetëm dy të mbetura në një tjetër.
Ndërkohë që përpjekjet për ndihma janë penguar nga hiri që ka rënë nga vullkani.
Vullnetarët kanë fshirë pistën e aeroportit kryesor për të lejuar avionët që sjellin në tokë ujë të pijshëm dhe furnizime shumë të nevojshme.
Veç këtyre, komunikimet me zinxhirin e ishullit janë ndërprerë pasi kablloja e vetme nënujore që lidh Tongën me pjesën tjetër të botës u shkëput nga shpërthimi.
Në përditësimin e saj, qeveria Tongane tha se interneti ishte i ndalur, por disa shërbime telefonike lokale ishin në dispozicion dhe po punohej për të rivendosur komunikimet e plota.
Evakuimet nga ishujt më të goditur kanë filluar gjithashtu, ka thënë qeveria. /Telegrafi/


