Please enter at least 3 characters.

"Qershori nuk do të më gjejë si Përfaqësues i Lartë në Bosnje", Schmidt kritikon Dodikun në Këshillin e Sigurimit

Përfaqësuesi i Lartë në Bosnje dhe Hercegovinë, Christian Schmidt, është paraqitur në seancën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara që po mbahet në New York, ku ka lexuar raportin e tij gjashtëmujor për Bosnje dhe Hercegovinën.

“Bosnje dhe Hercegovina po ecën në një rrugë të ngushtë që shkon në dy drejtime. Njëra është rruga e stabilitetit dhe revitalizimit ekonomik, sundimit të ligjit dhe standardeve të demokracisë. Rruga tjetër është stagnimi, drejt së cilës çojnë pengesat politike dhe degradimi gradual i institucioneve shtetërore”, tha Schmidt në fillim të fjalimit.

Ai theksoi se situata e sigurisë është stabile, por ende ekzistojnë kërcënime. Ai vlerësoi misionin e EUFOR/Althea për punën në stabilitetin dhe sigurinë në Bosnje dhe Hercegovinë, por dha edhe një paralajmërim.

“Stabiliteti nuk është shëndet institucional. Edhe pse nuk ka krizë të afërt të sigurisë, ekziston një krizë e funksionimit të institucioneve dhe e përgjegjësisë politike. Kjo ndikon në qeverisjen e shtetit, zhvillimin ekonomik dhe jetën e qytetarëve. Janë shqetësuese përpjekjet për të minuar institucionet shtetërore përmes bllokadave që synojnë të ndalin përmbushjen e obligimeve për të cilat janë krijuar”, tha ai.

Schmidt veçoi katër prioritete për këtë vit: ruajtjen e institucioneve dhe rolit të tyre sipas Marrëveshjes së Dejtonit; kthimin e funksionalitetit të institucioneve; zgjidhjen e çështjes së pronës shtetërore; dhe krijimin e kushteve për futjen e teknologjive zgjedhore para zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2026, raporton klix.ba.

Ai përsëriti se bllokadat e institucioneve shtetërore ndikojnë ndjeshëm në situatën në Bosnje dhe Hercegovinë, duke theksuar ekzistencën e një klime mosbesimi të nxitur nga narrativa përçarëse dhe degraduese mbi bashkëpunimin që është jetik për të ardhmen e vendit.

“Narrativat që e paraqesin Bosnje dhe Hercegovinën si një fushë të ardhshme të ‘përplasjes së qytetërimeve’ janë rishfaqur në këtë periudhë. Këto narrativa nuk pasqyrojnë realitetin. Ato nxisin frikë dhe nuk ofrojnë zgjidhje për bashkëpunim dhe kompromis. Ka shumë punë në këtë drejtim dhe është e rëndësishme të mos lejohet zgjerimi i grupeve ekstremiste dhe terroriste. Hapat e lidershipit të Republikës Serbe në tetor 2025 ndihmuan në çlirimin e shtetit nga bllokada politike dhe hapën mundësinë për rol më aktiv të bashkësisë ndërkombëtare. Megjithatë, kjo e ashtuquajtur ‘deeskalim’ nuk solli përmirësim. Përkundrazi, lidershipi i RS-së vë në pikëpyetje integritetin territorial të Bosnje dhe Hercegovinës dhe minon sigurinë dhe proceset reformuese”, tha Schmidt.

Ai theksoi veçanërisht rolin e presidentit të SNSD-së, Milorad Dodik, dhe retorikën e tij, sidomos refuzimin e multietnicitetit në entitetin Republika Serbe. Ai përmendi edhe një letër të dërguar nga boshnjakët që jetojnë në RS, ku thuhet se retorika e udhëheqjes së RS-së ndikon negativisht në bashkëjetesë dhe kthimin e qëndrueshëm të refugjatëve.

Pronësia shtetërore ishte gjithashtu një nga temat kryesore të raportit të tij, ku ai tha se nuk është bërë mjaftueshëm për zgjidhjen e kësaj çështjeje.

“Kjo çështje e pazgjidhur është bërë barrë dhe pengesë për investime dhe zhvillim ekonomik. Mbetem i bindur se duhet të krijohen urgjentisht kushtet që prona shtetërore të përdoret në interes publik”, tha ai.

Në fund, ai komentoi edhe largimin e tij nga detyra, duke e cilësuar si vendim personal.

“Tashmë kam vendosur në agjendën e takimit të ardhshëm të Këshillit për Zbatimin e Paqes (PIC) në qershor çështjen e identifikimit dhe emërimit të përfaqësuesit të ri të lartë. Procesi i emërimit të pasardhësit tim tashmë ka filluar dhe pres që të largohem nga posti në qershor”, tha Christian Schmidt në raportin e tij të fundit para Këshillit të Sigurimit të OKB-së. /Telegrafi/