Please enter at least 3 characters.

PSG shtyn përpara marrëveshjen me talentin e madh, por a do ta finalizojë transferimin?

Paris Saint-Germain po vazhdon të punojë për përforcimin e skuadrës, ndërsa objektivi i radhës është talenti belg i Ajaxit, Mika Godts.

Sipas Mundo Deportivo, 21-vjeçari ka arritur tashmë marrëveshje personale me kampionët e Francës dhe ka dhënë pëlqimin për transferimin në "Parc des Princes". Tashmë mbetet vetëm që PSG dhe Ajax të gjejnë gjuhën e përbashkët për shumën e transferimit.

Klubi holandez dëshiron ta mbajë Godts edhe për një sezon, por është i vetëdijshëm se një ofertë prej rreth 60 milionë eurosh do ta bënte të vështirë refuzimin e shitjes.

Drejtori sportiv i Ajaxit, Jordi Cruyff, deklaroi se klubi dëshiron ta mbajë sulmuesin belg në Amsterdam, duke theksuar se ai është një lojtar shumë i rëndësishëm për ekipin.

Megjithatë, mediat holandeze raportojnë se dëshira e futbollistit është të largohet këtë verë. Mundo Deportivo shkruan se marrëveshja mes lojtarit dhe PSG-së është tashmë e mbyllur, ndërsa De Telegraaf beson se Ajax pritet ta pranojë ofertën nëse ajo arrin shifrën e kërkuar prej 60 milionë eurosh.

- YouTubewww.youtube.com

Nëse arrihet marrëveshja mes dy klubeve, Godts do të nënshkruajë kontratë me PSG-në deri në verën e vitit 2031 ose 2032.

Edhe agjenti i futbollistit, Nils de Jonk, ka lënë të kuptohet se transferimi është në rrugën e duhur, duke deklaruar shkurt: "Do të gjejmë një zgjidhje". /Telegrafi/