Please enter at least 3 characters.

Dita e 17-të e protestës, të rinjtë i kundërpërgjigjen Ramës me fjalime para Kryeministrisë

Qytetarë dhe aktivistë nga shoqëria civile u mblodhën sot në ditën e shtatëmbëdhjetë në protestën kundër investimit të planifikuar në Zvërnec të Vlorës.

Gjatë grumbullimit në sheshin “Skënderbej”, u njoftua, që duke nisur që nga nesër protesta do të nisë në orën 19:00.

Një prej nismëtarëve, Alben Kola ka njoftuar se sot nuk do të mbajë askush fjalime, përveç të rinjve. “Protesta do të vijojë paqësore. Nuk jemi kundër partive, por kryetarëve të tyre”, u shpreh Kola, i cili foli edhe për itinerarin e marshimit.

Pas grumbullimit në sheshin “Skënderbej”, protestuesit marshuan në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për t’u mbledhur përpara Kryeministrisë.

Qytetarët me protestat e tyre vijojnë të kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, largimin e Berishës nga drejtimi i opozitës, hetimin e pasurive të politikanëve si dhe duke u shprehur kundër shitjes së pasurive kombëtare.

Me pankartat e tyre ata sollën në vëmendje ruajtjen e natyrës dhe problematikat e tjera që i kanë mbledhur së bashku protestuesit për ditë me radhë, raporton ATSH.

“Shqipëria e shqiptarëve, jo e tradhtarëve”, “Shqipëri e re”, “Nesër më shumë”, “Pa rini nuk ka Shqipëri” dhe të tjera thirrje dëgjoheshin në kor nga protestuesit, ndërsa ata marshuan në bulevard.