Projekti amerikan “Frutopia” në shkollat e Pejës, nxënësit përcjellin mesazhe për tolerancë dhe bashkëjetesë
Në Pejë është mbajtur shfaqja “Frutopia”, në kuadër të një projekti që synon promovimin e pluralizmit, respektit për diversitetin dhe të drejtave universale të njeriut, me theks të veçantë te liria e besimit dhe e mendimit.
Organizatorët thonë se synimi është fuqizimi i të rinjve përmes edukimit dhe artit, ndërsa nga drejtuesit e arsimit pritet që këto tema të trajtohen vazhdimisht në shkolla.
Drejtori i Arsimit në Komunën e Pejës, Naser Gega, vlerësoi se projekti ka rëndësi të veçantë jo vetëm për nxënësit, por edhe për prindërit.
“Është një temë kyçe që duhet avancuar, sepse vërtet kemi nevojë për tema të tilla. Nisim me fëmijët, që të kuptojnë edhe të rriturit”, tha ai për Telegrafin.
Gega theksoi se temat e trajtuara lidhen me diversitetin kulturor e fetar dhe me nevojën për tolerancë e bashkëpunim.
“Është diversitet kulturor, duke filluar nga diversiteti fetar, kombëtar e të tjerë. Nevojitet të jemi tolerantë, të kemi unitet dhe të bashkëpunojmë. Investimet e tilla, sidomos te fëmijët dhe te më të vegjlit, bëjnë që ata t’ua përcjellin mesazhet edhe të rriturve. Me këtë frymë edukohen dhe këta janë e nesërmja jonë”, shtoi ai.
Ndërkaq, drejtoresha e SHFMU “Asdreni”, Agime Lajqi, bëri të ditur se nga 1,114 nxënës sa ka shkolla, në projekt kanë qenë të përfshirë 416.
“Ky projekt është shumë i rëndësishëm, sepse është përfshirë një numër i madh i mësimdhënësve dhe i nxënësve. Nga këndvështrimi im si drejtoreshë dhe si trajnere e këtij projekti, mendoj se ka një ndikim të madh. Nga 1,114 nxënës sa i ka shkolla ‘Asdreni’, janë përfshirë 416 nxënës dhe 12 mësimdhënës, të cilët e kanë zbatuar dhe implementuar projektin ‘Frutopia’ këtu në shkollën ‘Asdreni’”, deklaroi ajo.
Brikenë Krasniqi nga programi “Hardwired Global” tha se bëhet fjalë për një program amerikan, i cili sipas saj nuk është parë më herët në Kosovë.
“‘Frutopia’ është një program që ka ardhur nga Amerika në Kosovë, me qëllim që të promovojë paqen, pluralizmin dhe respektin e diversitetit mes komuniteteve të ndryshme, besimeve të ndryshme dhe prejardhjeve të ndryshme. Tema është shumë e veçantë dhe jo shumë e folur në Kosovë. Qëllimi është t’u tregohet gjeneratave të reja se sa e rëndësishme është mënyra se si i trajtojnë të tjerët, bashkëpunimi dhe ndërveprimi me njëri-tjetrin – përmes kësaj shfaqjeje”, theksoi Krasniqi.
Psikologia në SHFMU “Vaso Pashë Shkodrani”, Blerta Dranqolli-Gjuka, tha për Telegrafin se nxënësit kanë përfituar duke zhvilluar më shumë vetëdije për respektimin e të drejtave të njeriut.
“Në shkollën tonë është realizuar programi edukativ ‘Frutopia’, i mbështetur nga ‘Hardwired Global’, me qëllim promovimin e paqes, pluralizmit, të drejtave të njeriut dhe respektimit të diversitetit”, tha ajo.
Ajo shtoi se përmes simulimeve dhe aktiviteteve interaktive nxënësit kanë marrë përvoja të ndryshme dhe kanë mësuar si të bashkëjetojnë dhe të respektojnë njëri-tjetrin.
“Përmes simulimeve dhe aktiviteteve interaktive, nxënësit kanë marrë përvoja të ndryshme, ku kanë mësuar se si mund të bashkëjetojmë, si duhet ta respektojmë njëri-tjetrin dhe të zhvillojnë më shumë mendimin kritik”, u shpreh Dranqolli-Gjuka.
Sipas saj, “përfitimi i nxënësve ka qenë se kanë zhvilluar më shumë vetëdije për respektimin e të drejtave të njeriut, komunikimin, mirëkuptimin dhe pranimin e diversitetit”.
Ndërkohë, presidenti i Rotary Club Peja, Dr. Neshad Albani, tha se si financues të projektit synojnë që në vitet e ardhshme ai të zgjerohet edhe në më shumë shkolla në Kosovë.
“Ky projekt është shumë i rëndësishëm, sepse promovon tolerancën dhe bashkëjetesën. Kjo është shumë e rëndësishme jo vetëm për Pejën, por edhe për Kosovën dhe më gjerë, sepse kur njeriu është i edukuar, është edhe më tolerant dhe më pak konfliktuoz”, tha Albani.
Ai shpjegoi se projekti ndërton komunitete simbolike përmes frutave.
“Projekti ‘Frutopia’, përmes frutave, i ka ndërtuar komunitetet: komuniteti i bananeve, i mollave, i dardhave. Pastaj, kur komunitetet nuk pajtohen, lindin konfliktet”, tha ai.
Albani shtoi se projekti financohet nga Rotary Club Peja dhe se aktualisht është shtrirë në pesë shkolla në Komunën e Pejës.
“Ky projekt është i Amerikës. ‘Rotary Club Peja’ e ka financuar dhe e financon, dhe dëshirojmë të shtrihet e të zgjerohet edhe më shumë. Tash i kemi pesë shkolla në Komunën e Pejës, i kemi 60 trajnerë për mësues dhe kemi një numër të madh të mësuesve nëpër krejt shkollat”, deklaroi ai.
Ai theksoi se projekti, sipas tij, ka një perspektivë të mirë në të ardhmen.
“Është shumë me rëndësi që nxënësit ta kenë përjetuar mirë dhe besoj se do të ketë një të ardhme të mirë, sepse projekti e ka emrin ‘Edukimi për Paqe dhe të Drejta të Njeriut’ në Komunën e Pejës”, shtoi Albani.
Nxënësit, përmes dramës dhe performancës, përcollën mesazhe për bashkëjetesë, tolerancë dhe respekt ndaj dallimeve.
Për më shumë storie të tilla apo problematika që hasni në përditshmëri, mund të na shkruani në: lokale@telegrafi.com. /Telegrafi/


