Projektet në tryezën e Angela Merkelit (Video)
“Korridori i Kaltër” është projekti infrastrukturor që lidh Kroacinë, Malin e Zi, Bosnjën e Shqipërinë në krye të projekteve që do t’i propozohen Gjermanisë për mbështetje, te ndjekura nga linjat hekurudhore, qendrat për parqet logjistike e më tej portet.
Do të kërkohet gjithashtu mbështetje për ndërlidhjen energjetike të vendeve të rajonit, projekte për të cilat qëndrimet janë dakorduar edhe nga takimet e një dite më parë mes kryeministrave në Dubrovnik.
Kërkesat drejtuar vendit më të fuqishëm të BE-së përmbajnë edhe financime për sipërmarrjen, ndërsa Shqipëria do të përqendrohet në këtë pikë tek mbështetja për arsimin profesional bazuar në modelin gjerman.
Turizmi gjithashtu zë vend në dokumentin që do të jetë baza e diskutimit në konferencën e 28 gushtit.
Pikat e dokumentit janë bërë publike nga kryeministri Edi Rama dhe dy ministrat e kabinetit qeveritar, Ditmir Bushati e Arben Ahmetaj, pak përpara se delegacioni shqiptar të linte Tiranën për t’iu drejtuar Berlinit, në udhëtimin që shihet si një moment tejet i rëndësishëm për Shqipërinë e rajonin ku bëjmë pjesë.
I vetëdijshëm se momenti është i artë për Ballkanin, dhe po aq për shqiptarët si një faktor tejet i rëndësishëm në të, Rama e sheh ofrimin e Gjermanisë në këtë formë dhe në këtë moment të favorshëm për të përçuar më tej njohjen reale të vendit tonë, tashmë kandidat i BE-së.
Megjithëse e nxitur edhe nga situata gjeopolitike, pas krizës ukrainase dhe asaj në Lindjen e Mesme, rritja e kontakteve të shtetit kryesor të BE-së me Ballkanin është vlerësuar si e mirëpritur në të gjitha vendet e tij, por mbetet për t’u parë sa do të dijë rajoni ynë ta shfrytëzojë këtë moment dhe po aq sa dhe si do të harmonizohet kërkesa dhe oferta në konkretizimin e këtyre projekteve. /Top Channel/


