Policia e Kosovës vjen me një njoftim të rëndësishëm për tifozët para ndeshjes me Turqinë
Policia e Kosovës ka dalë me komunikatë zyrtare para fillimit të ndeshjes mes Kosovës dhe Turqisë.
Kosova do të takohet me Turqinë me fillim nga ora 20:45 në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ në një finale ku fituesi siguron biletën për në Kupën e Botës 2026.
Duke marrë parasysh rëndësinë e ndeshjes, Policia e Kosovës ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të siguruar rendin.
Reagimi i plotë nga Policia e Kosovës:
Policia e Kosovës njofton qytetarët se me datë 31 mars 2026, duke filluar nga ora 20:45, në stadiumin Fadil Vokrri do të zhvillohet ndeshja finale e play-off-it për Kupën e Botës 2026 ndërmjet Kosovës dhe Turqisë.
Duke pasur parasysh rëndësinë e veçantë të kësaj ndeshjeje, janë ndërmarrë masa të shtuara të sigurisë në bashkëpunim me institucionet përkatëse dhe organizatorët. Policia e Kosovës, së bashku me strukturat mbështetëse angazhohen për të garantuar rendin dhe sigurinë publike para, gjatë dhe pas zhvillimit të ndeshjes.
Do të ketë prani të shtuar policore në stadium, në qytet dhe në tri “Fan Zona”: Me qëllim të lëvizjes së delegacioneve, lehtësimit në qarkullim dhe zhvillimit të ndeshjes, do të ketë bllokime të përkohshme të rrugëve lokale dhe nacionale.
Rrugët që do të mbyllen janë si në vijim: Tring Ismajli, Agim Ramadani, Eqrem Çabej, Semaforat kryesore, Bulevardi Bill Clinton, Rrethi te Stacioni i Autobusëve, Rruga Hekurudhat, Rruga Tirana (drejt stadiumit), ndërsa gjatë Largimi nga stadiumi drejt aeroportit: Rruga Tirana, Arbëria, rr. Ahmet Krasniqi dhe Autostrada (drejt aeroportit).
Rrugë të tjera kanë kufizime të përkohshme në Perimetrin rreth stadiumit, rr. Luan Haradinaj (deri te Ministria e Drejtësisë) dhe rr. Fehmi Agani. Këto bllokime do të jenë të përkohshme dhe do të realizohen në intervale kohore, varësisht nga lëvizjet zyrtare dhe nevojat e lehtësimit ne trafikun rrugor.
Policia e Kosovës apelon tek qytetarët që: Të respektojnë udhëzimet e zyrtarëve policorë në terren Të përdorin rrugë alternative kur është e mundur të kontribuojnë në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike. Siguria dhe mbarëvajtja e kësaj ngjarje sportive është përgjegjësi e përbashkët.
Ftojmë qytetarët për mbështetje dhe respektim të rendit publik./Telegrafi/


