Policia dhe Komiteti Lokal i Sigurisë në Pogragjë koordinojnë veprimet kundër narkotikëve dhe zjarreve
Policia e Kosovës në Rajonin e Gjilanit ka zhvilluar një takim koordinues me Komitetin Lokal për Siguri në Bashkësi (KLSB) të fshatit Pogragjë, me fokus parandalimin e abuzimit me narkotikë dhe mbrojtjen nga zjarret.
Takimi u mbajt më 8 korrik në zyrën për kontakte me qytetarë në Pogragjë dhe u udhëhoq nga koordinatori i Projekteve për Komunitet dhe Parandalim në Drejtorinë Rajonale të Policisë në Gjilan, toger Fatos Latifi, së bashku me kryetarin e KLSB-së së Pogragjës, Avdil Islami.
Sipas Policisë, pjesëmarrësit diskutuan për gjendjen e përgjithshme të sigurisë në fshat dhe koordinimin e aktiviteteve në kuadër të Planit të Veprimit "Stop drogave 2026", i cili synon rritjen e ndërgjegjësimit të të rinjve dhe komunitetit për rreziqet dhe pasojat e përdorimit të narkotikëve.
Po ashtu, në takim u trajtua edhe projekti "Bashkësi e sigurt pa zjarre", i cili synon sensibilizimin e qytetarëve për parandalimin e zjarreve në hapësira të hapura, mbrojtjen e mjedisit dhe informimin mbi pasojat që shkaktojnë zjarret, si dhe sanksionet ligjore ndaj shkaktarëve të tyre.
Policia e Kosovës falënderoi anëtarët e Komitetit Lokal për bashkëpunimin e vazhdueshëm, duke theksuar se partneriteti me strukturat lokale të sigurisë mbetet një mekanizëm i rëndësishëm për adresimin e shqetësimeve të qytetarëve dhe forcimin e sigurisë në komunitet.
Sipas njoftimit, Policia e Kosovës dhe Komiteti Lokal për Siguri në Bashkësi i Pogragjës do të vazhdojnë bashkëpunimin në identifikimin dhe trajtimin e çështjeve që ndikojnë në sigurinë publike, me synim krijimin e një ambienti sa më të qetë dhe të sigurt për banorët. /Telegrafi/


