Please enter at least 3 characters.

Pesë vite pritje marrin fund: Conor McGregor rikthehet për duelin e madh me Max Holloway

Conor McGregor rikthehet sonte në kafaz pas pesë vitesh mungesë, në një nga ngjarjet më të shumëpritura në historinë e fundit të UFC-së. Superylli irlandez do të përballet me Max Holloway në meçin kryesor të UFC 329, që zhvillohet në 'T-Mobile Arena' në Las Vegas, e që pritet të fillojë në ora 03:00 pas mesnate.

Ky duel është një revansh i përballjes së tyre të parë në vitin 2013, kur McGregor triumfoi me vendim unanim pas tri raundeve.

McGregor nuk ka zhvilluar asnjë luftë që nga korriku i vitit 2021, kur pësoi një frakturë të rëndë në këmbën e majtë në trilogjinë ndaj Dustin Poirier. Nga ana tjetër, Holloway vjen pas humbjes ndaj Charles Oliveira në muajin mars dhe sonte do të debutojë në kategorinë welterweight.

Në prag të sfidës, shumë analistë besojnë se fillimi i meçit mund të jetë vendimtar. McGregor pritet të futet në kafaz me shumë adrenalinë pas mungesës së gjatë, por sfida e tij më e madhe do të jetë ruajtja e qetësisë dhe menaxhimi i ritmit përballë stilit agresiv dhe voluminoz të Holloway.

Irlandezi pritet të mbështetet te kundërsulmet e fuqishme me dorën e majtë, duke shfrytëzuar momentet kur kundërshtari ekspozohet gjatë sulmeve. Ekspertët vlerësojnë gjithashtu se ai mund të përdorë edhe tentativat për rrëzim në tokë, një armë që pati sukses në përballjen e parë mes tyre, kur realizoi katër nga pesë tentativat, statistika më e mirë e karrierës së tij në këtë aspekt.

Megjithatë, pikëpyetja më e madhe mbetet forma fizike e McGregorit. Edhe pse ai u paraqit në gjendje të shkëlqyer në matjet zyrtare të peshës, rikthimi në MMA pas pesë vitesh mungesë ngre dyshime për rezistencën dhe kondicionin e tij nëse lufta zgjat deri në raundet e fundit.

Në anën tjetër, Holloway pritet të mbështetet te boksi i tij i pastër dhe ritmi i lartë i goditjeve. Amerikani është i vetëdijshëm se minutat e para mund të jenë shpërthyese për shkak të entuziazmit të McGregorit, por synon ta përballojë presionin fillestar dhe ta çojë meçin në një ritëm që favorizon qëndrueshmërinë e tij.

Atmosfera në Las Vegas pritet të jetë elektrizuese, ndërsa rikthimi i një prej emrave më të mëdhenj në historinë e sportit ka ngritur pritshmëritë në maksimum.

Tani mbetet të shihet nëse Conor McGregor do ta shënojë rikthimin e tij me fitore, apo nëse Max Holloway do t'i japë fund ëndrrës së "The Notorious" për një kthim triumfues./Telegrafi/