Përse kaq pak investime në arsim?
Edhe pse për 20 vjet resht ka humbur hapin infrastrukturor dhe të cilësisë në arsim dhe me një rini gati dy herë më të madhe në përpjesëtim me popullsinë sesa mesatarja evropiane, Kosova megjithatë investon vetëm 4 për qind të buxhetit qendror në arsim, që është tri herë më i vogël sesa i Shqipërisë, Maqedonisë dhe vendeve të tjera të rajonit
Gjithkujt i bëhet zemra mal kur sheh në televizor se si përurohen shkolla të reja. Madje, këto ditë të fillimvitit shkollor janë parë përurime të bëra me shumë publicitet dhe me pjesëmarrje të gjerë nga krerët institucionalë të shtetit. Por, meqë këto përurime bëhen me shumë pompozitet, çështja që shtrohet këtu është se vërtet u investuaka aq shumë në arsim, saqë opinioni u dashka të fokusohet në këto përurime, apo fjala është thjesht për propagandë, meqë afron fushata zgjedhore? Këtu padyshim duhet që t'u referohemi fakteve, se sa investon Kosova në arsim dhe a është e vërtetë se arsimi paraqet prioritet në bazë të buxhetit që i dedikohet këtij sektori.
I gjithë buxheti i arsimit për këtë vit është vetëm 58 milionë euro. Maqedonia me numër thuajse të njëjtë banorësh këtë buxhet e ka 278 milionë, ndërsa Shqipëria 326 milionë euro. Kritikët nuk do të pajtoheshin me këto krahasime duke pasur parasysh faktin se vendet fqinje padyshim që njëra e ka buxhetin gati dyfish, e tjetra gati trefish më të madh sesa të Kosovës. Por, kur flitet në përqindje, pra se sa për qind të buxhetit ndahen për këtë sektor, atëherë nuk mbetet asnjë shteg mosbindjeje dhe hamendësomi, sepse është treguesi i padiskutueshëm për rëndësinë e një sektori që i kushton një vend, pavarësisht nga buxheti i ulët apo i lartë i tij.
Ndonëse vendi me shkatërrimin dhe stagnimin më të madh të arsimit në 20 vitet e fundit në Evropë, Kosova i kushton rëndësinë më të vogël arsimit. Për këtë sektor me buxhetin e këtij viti janë ndarë vetëm 4.1 për qind, ndërsa dy vendet e lartpërmendura këtë vit kanë ndarë nga 11 për qind nga buxheti i tyre i përgjithshëm. Këto të fundit njëherësh i afrohen mesatares evropiane për arsim.
Kosova ka nevojën më të madhe në kontinent për të investuar në arsim jo vetëm për shkak të humbjes së hapit 20-vjeçar, por edhe për një arsye tjetër shumë thelbësore:
Kosova ka popullsinë jo vetëm më të re në Evropë, por madje popullsia shkollore në përpjesëtim me popullsinë e përgjithshme është dy herë më e lartë.
Si rezultat i kësaj, kushtet ku mësohet e studiohet dhe cilësia, janë vërtet të mjerueshme. Ende ka klasë me nga 40 nxënës, madje edhe në kryeqytet, ku ky numër është gati dyfish më i madh sesa mesatarja evropiane; në shkollat fillore dhe të mesme mësohet nga tre e katër ndërrime.
Për shkak të rrogave të ulëta, disa arsimtarë të lëndëve specifike janë bërë si mjekët: që nga dita e parë e shkollës fillojnë rekrutimin e nxënësve për kurse private pas mësimit. Kjo do të thotë se disa arsimtarë nuk çajnë kokën për nxënien dhe cilësinë e mësimit në shkollat publike. Arsimi i mesëm profesional nuk ka marrë seriozitetin e duhur qoftë si ofertë, e aq më pak si kërkesë në mungesë të fushatave informuese. Niveli i cilësisë i shkollave të mesme duhet të merret me shumë seriozitet.
Matura e sivjetme shtetërore rezultoi se gjysma e nxënësve ishin të dobët. Arsimimi universitar, edhe përkundër përpjekjeve për reforma dhe implementimin e procesit të Bolonjës, megjithatë sot e kësaj dite në shfrytëzim është një pjesë e literaturës që e ka shkelur koha, ndërsa grupet e klanet më shumë shtyhen për pushtet në universitet sesa për procesin studimor dhe kërkime shkencore.
Bindja e krijuar tek ca qarqe se cilësia mund të rritet vetëm duke i bërë të aftë studentët që të shfrytëzojnë direkt literaturën e huaj, rezulton e gabuar për arsimimin masiv universitar; Disa kurrikula mbeten të vjetra, studentëve ende u imponohet si literaturë e detyrueshme ajo e ligjëruesit të lëndës me deficite të mëdha shkencore, ndërsa ende nuk bëhet përkthimi i literaturës adekuate në shqip për studentët si tekste të domosdoshme.
Pavarësisht se pafundësia e kërkesave bie ndesh me tiparin thelbësor të burimeve materiale, pamjaftueshmërinë e mjeteve buxhetore, rishpërndarja e mjeteve mbetet sfera e procedurave politike më problematike. Por, të investosh në arsim, do të thotë, padiskutim, të investosh në ngritjen e përgjithshme të vendit, në radhë të parë një investim afatgjatë për ngritjen ekonomike dhe të mirëqenies së përgjithshme.
Përqindja që i dedikohet arsimit, vetëm 4 për qind nga buxheti shtetëror, nuk lë hapësirë për debat, por të çon në konstatimin se vërtet ky sektor nuk paraqet asnjë prioritet në ndarjen dhe rishpërndarjen e mjeteve buxhetore.


