Përkeqësohet zjarri në Ungrej të Lezhës, flakët rrezikojnë banesat në Rras dhe Zimaj
Situata e zjarrit në Ungrej të Lezhës në Shqipëri është përkeqësuar, teksa era e fortë dhe bimësia e dendur kanë favorizuar përhapjen e flakëve.
Zjarri po afrohet drejt zonave të banuara në fshatrat Rras dhe Zimaj, duke rritur rrezikun për banesat dhe pronat e banorëve të zonës.
Në terren ndodhen forcat zjarrfikëse, efektivë të ushtrisë dhe strukturat e emergjencave civile, të cilat po punojnë për izolimin dhe vënien nën kontroll të vatrave të zjarrit.
Ndërhyrja nga toka vijon të jetë e vështirë për shkak të terrenit të thyer dhe të aksesueshëm me vështirësi.
Kushtet e motit, veçanërisht erërat e forta, po favorizojnë përhapjen e flakëve dhe po e komplikojnë më tej operacionin e shuarjes, shkruan rtsh.
Autoritetet vijojnë monitorimin e situatës dhe ndërhyrjen në terren, ndërsa mbetet shqetësim mbrojtja e zonave të banuara nga përparimi i zjarrit.


