Please enter at least 3 characters.

Mësohet sa do të mungojë Amir Rrahmani

Napoli ka konfirmuar dëmtimet muskulore të Matteo Politano dhe Amir Rrahmani, duke njoftuar se të dy lojtarët do të mungojnë për të paktën dy javë.

Lëndimet janë shkaktuar gjatë ndeshjes së së shtunës në Serie A kundër Sassuolos.

Në deklaratën e saj zyrtare, klubi italian bëri të ditur:

"Pas lëndimeve që pësuan në ndeshjen kundër Sassuolos, Matteo Politano dhe Amir Rrahmani iu nënshtruan testeve mjekësore në Spitalin Pineta Grande”.

“Politano ka pësuar një tërheqje muskulore në muskulin e kofshës së djathtë, ndërsa Rrahmani ka pësuar një tërheqje muskulore në gluteusin e majtë. Të dy lojtarët kanë filluar tashmë programet e tyre të rehabilitimit".

Burime italiane, përfshirë SOS Fanta dhe Sky Sport, raportojnë se Politano dhe Rrahmani pritet të humbasin dy ndeshjet e ardhshme: kundër Kopenhagenit në Ligën e Kampionëve dhe Juventusit në Serie A.

Megjithatë, rikuperimi i Politanos mund të zgjasë edhe deri në një muaj.

Këto dëmtime shtojnë mungesat e shumta në skuadrën e Napolit, që tashmë po përballet pa lojtarë kyç si Billy Gilmour, Romelu Lukaku, Kevin De Bruyne, Frank Zambo Anguissa dhe Alex Meret. /Telegrafi/