Peja kërkon vazhdimësi
Skuadra "e verdhë" kërkon që fazën e dytë të Ligës Ballkanike ta nisë me fitore, shkruan sot Koha Ditore.
Peja në xhiron e parë të fazës së dytë ka përballë skuadrën bullgare Levski 2014, të cilën e ka mposhtur dy herë gjatë fazës së parë. Ndeshja zhvillohet të martën (sot) në palestrën "Karagaçi" (19:30) dhe i takon Grupit C. Peja në fazën e dytë është kualifikuar si lidere e Grupit B, ku arriti shtatë fitore në tetë ndeshje, shkruan Koha Ditore.
"E njohim mjaft mirë kundërshtarin dhe nuk besoj se do të kemi problem për ta nisur këtë fazë me fitore. Edhe pse është një ekip i ri, ne kemi respekt maksimal për Levskin dhe ndeshjes do t'i futemi me seriozitetin më të madh. Pres një lojë të mirë dhe jam optimist në fitore, pasi është me rëndësi që fazën e dytë ta nisim në këtë mënyrë", është shprehur basketbollisti i Pejës, Drilon Hajrizi.
Pos Levskit, skuadra e Pejës në fazën e dytë të grupeve, do të ketë punë edhe me Kozhuvin e Sigal Prishtinën. Këto dyja në fazën e parë ishin pjesë e Grupit A dhe përfunduan në pozitat dy dhe tre.


