Peci në Kuvend: Stacioni i Autobusëve me 600 mijë euro borxhe, ngre edhe një shqetësim tjetër
Në mbledhjen e 10-të të Kuvendit Komunal të Mitrovicës, kryetari i Komunës Faton Peci ka ngritur shqetësime lidhur me gjendjen në Stacionin e Autobusëve, duke kërkuar përgjegjësi dhe sqarime për disa çështje që lidhen me funksionimin e kësaj ndërmarrjeje.
Peci ka thënë se gjatë diskutimeve për raportimet dhe ngjarjet e fundit, disa anëtarë të bordit kanë folur për gjendjen e stacionit, përfshirë edhe borxhet e akumuluara që, sipas tij, arrijnë rreth 600 mijë euro ndaj Administratës Tatimore.
Ai gjithashtu i është drejtuar anëtares së Kuvendit Komunal, Xhyljeta Imeri, duke ngritur pyetje lidhur me një çështje që ai e ka cilësuar si shqetësuese.
“Përveç borxheve 600 mijë euro ndaj Administratës Tatimore, a e keni ngritur ndonjëherë si shqetësim faktin që brenda institucionit komunal ka funksionuar një lokal ku është ushtruar veprimtari e prostitucionit? Ndërmarrja komunale ka një fakturë me borxh prej 21 mijë eurosh. A e keni ngritur ndonjëherë këtë shqetësim?”, ka deklaruar Peci.
Ai ka shtuar se kjo çështje nuk është ngritur më herët, duke e lidhur atë edhe me përgjegjësinë institucionale dhe rolin e përfaqësimit gjinor.
Deklaratat u bënë gjatë diskutimeve në mbledhjen e Kuvendit Komunal, ku u trajtuan çështje që lidhen me gjendjen dhe menaxhimin e Stacionit të Autobusëve. /Telegrafi/


