PD alternativë në zgjedhjet lokale
Koha po ecën dhe çdo herë e më shumë po afrohemi afër ditës së zgjedhjeve lokale të caktuara për datë 15 nëntor 2009. Kosova dy vite më parë kishte organizuar 3 palë zgjedhje në të njëjtën kohë, të cilat në mesin e votuesve dhe qytetarëve kishin shkaktuar huti mjaft të madhe në aspektin e përcaktimit për subjektin dhe individin por edhe suksesit të vet zgjedhjeve. Me shumë probleme dhe parregullsi që e përcollën procesin zgjedhor, dhe pa prag të legjitimitetit të zgjedhjeve, këto zgjedhje dështuan që të jenë dëshmi e vullnetit të shumicës së qytetarëve të Kosovës duke u pranuar në heshtje për shkak të gjendjes politike në vend. Pas shpalljes së Kosovës si shtet i pavarur, për kundër disa rezultateve evidente, udhëheqja aktuale politike dhe shtetërore nuk ka arritur që të gjej formulën e përmirsimit të gjendjes ekonomike dhe sociale të popullit të Kosovës. Mungon perspektiva ekonomike, mungon mundësia e integrimit në politikën e liberalizimit të vizave, sidomos nuk janë duke u krijuar kushte për edukimin, arsimin dhe përparimin e rinisë kosovare që me të drejtë cilësohet si e ardhmja e shtetit. Problemet serioze që paraqiten para institucioneve të Kosovës në aspektin social, ekonomik, politik, si dhe të sigurisë kërkojnë përkushtim më të të madh dhe alternativa kreative për zgjidhjen e problemeve.
Partia e Drejtësisë është parti e cila aktivitetin e vet politik e zhvillon që nga 19 shtatori i vitit 1999. Ka marrë pjesë në të gjitha zgjedhjet e organizuara në Kosovë përveç zgjedhjeve të para vendore në vitin 2000. Ka qenë pjesë e Kuvendit të Kosovës në dy mandate. Angazhimi i përfaqësuesve të PD-së në Kuvendin e Kosovës ka qenë i shënuar, kjo vërtetohet edhe nga raportet e monitorimit të kuvendit, ku përfaqësuesi i PD-së në mandatin e fundit të Kuvendit është ranguar ndër deputetet më aktiv dhe produktiv. Me iniciativën e tij është themeluar grupi i veçantë parlamentar “Për Integrim” të cilin edhe e ka udhëheq në një pjesë të mandatit. Po ashtu, duke e pasur parasysh rolin tejet konstruktiv në punën e Kuvendit të Kosovës, deputeti i PD-së e ka kryesuar edhe Komisionin e vetëm hetimor në Kuvendin e Kosovës, që me sukses e kreu detyrën e përcaktuar. PD ka participuar me këshilltarë komunalë edhe në asambletë komunale dhe tani është e përfaqësuar në mënyrë të denjë në 10 asamble komunale me 11 këshilltarë komunalë: Mitrovicë një, Prishtinë dy, Prizren një, Ferizaj një, Gjilan një, Vushtrri një, Podujevë një, Obiliq një, Suharekë një, dhe Rahovec një. Ndër rezultatet e punës së tyre, veçojmë miratimin e iniciativës së veçantë të këshilltarëve të PD-së, në asamblenë komunale të Prishtinës për miratimin e Rregullores për ndalimin e shitjes së alkoolit dhe duhanit të miturve nën moshën 16 vjeçare; dhe realizimin e kërkesës së qytetarëve të lagjes Dardania për ndarjen e hapësirës për xhami në lagjen e tyre me planin përkatës rregullativ. Udhëheqja me Drejtorin për çështje ekonomike dhe financiare në komunën e Rahovecit, si dhe Drejtorin e Kulturës, ka qenë sukses i rradhës së PD-së në rrafshin komunal; ndërkaq në komunat ku partia ka qenë e përfaqësuar me këshilltarë pjesëmarrja, në komisionet relevante ka qenë e shënuar. Ndonëse e dyfishoi numrin e votave, Partia e Drejtësisë në zgjedhjet e kaluara për shkak të pragut të padrejtë zgjedhor nuk arriti të jetë pjesë e legjislativit kosovar. Përkundër kësaj, PD-ja vazhdoi me sukses dëshmimin në skenën politike si subjekt serioz dhe me vlera të larta, duke e ruajt dhe shtuar autoritetin në skenën politike vendore si subjekt i preferuar politik për shumicën e partive politike në vend, përfshirë partitë kryesore në pozitë dhe opozitë.
Partia e Drejtësisë që nga korriku i vitit 2008 në krye të vet ka kryetar Prof. Dr. Ferid Agani, i cili fitoi besimi edhe në kuvendin e VI-të të partisë të mbajtur me 16 Gusht 2009. Periudha nga zgjedhjet parlamentare 2007 u shënua me përpjekje për konsolidimin e radhëve partiake, gjë që është arritur në mënyrë të kënaqshme në shumicën prej njëzet e një degëve. Në kuvendin e fundit PD-ja ka bërë reforma në aspektin konceptual të punës dhe organizimit partiak gjë që jep shpresë për një avantazh të PD-së në këto zgjedhje. Partia e Drejtësisë është nga partitë e rralla që e ka të qartësuar profilin e saj politik me dokument zyrtar të miratuar nga organet qendrore partiake mbi profilin politik. Me këtë dokument, Partia e Drejtësisë përcaktohet si parti politike e qendrës, që në njërën anë ka për bazë parimet e së djathtës politike të demokracisë konservatore, dhe që urëzon, baraspeshon dhe integron në anën tjetër, konceptet politike të social – liberalizmit dhe të social – demokracisë, nga qendra e majtë dhe e majta politike.
Drejtuesit e PD-së në mbledhjet e organeve partiake kanë marr të gjitha masat e nevojshme për përgatitjen efektive të degëve të PD-së në aspektin organizativ për zgjedhjet e 15 nëntorit 2009. PD ka avancuar metodat e punës dhe shpresojmë që përgatitjet sistematike për zgjedhjet e 15 nëntorit do të rezultojnë me rezultatet e pritura. Partia e Drejtësisë do të konkurroj në të gjitha komunat ku ka shumicë të popullatës më kombësi shqiptare dhe në disa komuna do të dal me kandidatë për kryetar të Komunave. Me vendimin e organeve qendrore të partisë dhe pas ofertës së bërë nga AKR. PD-ja është në bisedime me zyrtarët e AKR-së për mbështetjen reciproke në përkrahje të kandidatëve për kryetar të Komunave.
Synim i PD-së është trefishimi i numrit të këshilltarëve në asambletë komunale dhe sigurimi i së paku një posti të Kryetarit të Komunës në zgjedhjet vendore. Optimizmi ynë mbështetet edhe në faktin se, PD është subjekt politik që identifikohet me vlerat etike dhe morale në politikën kosovare, dhe që perceptohet si digë e fuqishme kundër korrupsionit individual dhe institucional. PD do të jetë propozuese e zgjidhjeve konkrete dhe origjinale për tejkalimin e vështirësive të theksuara ekonomike dhe ballafaqimin me varfërinë dhe papunësinë e madhe në vend; PD do të jetë përkujdesëse e shtresave më të varfra dhe më të ndjeshme të popullatës. Jemi subjekt politik që vlerat fetare i trajton në ndërlidhje të ngushtë me identitetin kombëtar, dhe si burim të vlerave të mirëfillta për proceset shtet – ndërtuese mbi konceptin sekular, duke bërë dallim të qartë nga koncepti i laicizmit. PD është forcë politike që ofron mundësinë për ndryshimin e qëndrimeve refuzuese ndaj pavarësisë së Kosovës, veçanërisht në botën islame; dhe partner konstruktiv për parandalimin dhe luftimin e çfarëdo lloj ekstremizmi në vend, PD është forcë politike që mund të integrojë në radhët e saja rininë dhe inteligjencën akademike kosovare që frymon me ide autoktone, kombëtare dhe fetare; dhe promotore e integrimeve mbarëkombëtare.
Konceptet e moderuara programore të Partisë së Drejtësisë, do të gjejnë nga dita në ditë numër gjithnjë e më të madh të përkrahësve dhe do të kurorëzohen me rritjen substanciale të numrit të votuesve të PD-së, gjë që do të mundësojë shndërrimin e tyre në politika shtetërore që do të rezultojnë me zgjidhje gjithëpërfshirëse për sfidat serioze të kohës. Jemi të bindur se me ngjeshjen e radhëve dhe motivacionin e shtuar të anëtarëve të PD-së, Partia e Drejtësisë do të arrijë të rritë besimin e qytetarëve.
PD u bënë thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës që të dalin në zgjedhje dhe të votojnë për Partinë e Drejtësisë, që duke i pasur parasysh të sipër përmendurat, nën udhëheqjen e kryetarit Agani, është angazhuar dhe do të angazhohet në vazhdimësi, që me aktivitetet të moderuar politik, të kontribuoj për shtet të fuqishëm të mbështetur në sundimin e së drejtës dhe të ligjit, të ngritur mbi vlerat e dëshmuara të traditës kombëtare dhe fetare; në të cilin krahas respektimit të të drejtave të njeriut dhe përjashtimit të çfarëdo diskriminimi, ndërtohen perspektiva premtuese ekonomike dhe arsimore për rininë kosovare, si dhe mekanizma shtetëror për përkujdesjen ndaj kategorive më të ndjeshme sociale.
(Autori është nënkryetar i PD-së)


