Please enter at least 3 characters.

Pas transferimit të Adeyemit, Barcelona i vendos në shitje dy yjet e skuadrës

Barcelona ka nisur të bëjë lëvizje në repartin ofensiv për afatin e ardhshëm kalimtar. Klubi katalanas ka vendosur në listën e largimeve Roony Bardghjin dhe Ferran Torresin, dy futbollistë me situata të ndryshme, por që sipas raportimeve të fundit nga merkatoja kanë një të ardhme gjithnjë e më larg ‘Camp Nou’.

Ideja e drejtuesve të Barcelonës është të krijojnë hapësirë për një rinovim në sulm. Bardghji mund të largohet në formë huazimi për të fituar më shumë minuta dhe vazhdimësi, ndërsa Torres shihet si një lojtar që mund të shitet, me Atlético Madridin si një nga destinacionet e mundshme.

Situata e Roony Bardghjit lidhet kryesisht me aspektin sportiv. Talenti i ri ka nevojë për më shumë hapësira, ritëm konkurrues dhe një ambient ku mund të luajë rregullisht.

Te Barcelona, konkurrenca në repartin ofensiv është shumë e madhe dhe klubi beson se një huazim mund të jetë zgjidhja më e mirë për të mos penguar zhvillimin e tij.

Potenciali i Bardghjit nuk vihet në dyshim. Sulmuesi karakterizohet nga aftësia për të krijuar diferencën, guximi në lojë dhe fleksibiliteti për të luajtur në disa pozita në vijën e parë të sulmit.

Barcelona e di se mbajtja e tij pa minuta të rëndësishme mund të ndikojë negativisht në progresin e tij. Për këtë arsye, një largim i përkohshëm po fiton gjithnjë e më shumë terren në planet e klubit.

Ndryshe është situata e Torresit. Sulmuesi spanjoll ka qenë një futbollist i dobishëm për skuadrën në vitet e fundit, por emri i tij është rikthyer sërish në listën e lojtarëve që mund të largohen.

Barcelona ka nevojë të gjenerojë të ardhura, të ulë shpenzimet e pagave dhe të riorganizojë një repart ofensiv që mund të pësojë ndryshime të mëdha gjatë kësaj vere.

Në këtë situatë, Torres shihet si një nga lojtarët me vlerë të madhe në treg. Ai ka përvojë në La Liga, e njeh presionin e një klubi të madh dhe mund të luajë si në krahët e sulmit, ashtu edhe në role më qendrore.

Ky profil e bën atë një futbollist tërheqës për disa klube që kërkojnë përforcime në fazën ofensive./Telegrafi/